English

Organizata POLITIKE: Të ndalen negociatat me Beogradin

Tiranë-Prishtinë, 21 mars 2011 NOA - Organizata POLITIKE lëshoi sot një thirrje për ndalimin dhe mundësimin e ndalimit të negociatave të qeverisë së Kosovës me Serbinë në dëm të kombit shqiptar.

“Ne, shqiptarët, nuk jemi kundër negociatave në parim, por jemi kundër negociatave pa parim. Negociatat kanë filluar kundër çdo parimi moral, juridik dhe politik”, - thuhet në thirrjen e bërë sot nga Organizata POLITIKE, që thotë se është “një grupim politik njerëzish që nuk bien në pengun e pamundësisë së aktualitetit dhe që tejkalojnë përmes organizimit përpjekjet e pushtetit për t’i shtypur vullnetet”.

Sipas OP, Evropa nuk mund të negociojë me aspiratën e dëshmorëve tanë, por me të korruptuarit e prodhuar mes nesh.

“Kjo pjesë e korruptuar nuk përfaqëson dhe nuk e ka moralin të përfaqësojë shqiptarët në emër të kombit, për të marrë vendime për të sotmen dhe të ardhmen e tij, - thotë Organizata POLITIKE.

Ajo vlerëson se Evropa nuk po negocion me kombin shqiptar por me trajtat e degjeneruara të pushteteve që stimulon, mbështet dhe detyron të tradhtojnë qytetarin shqiptar. Përfaqësitë e Evropës thjesht përsosin krimin që vijon me planin e Ahtisaarit për dobësimin shqiptar në Ballkan. Ajo nuk mbron parimet e vendeve të saj më të shprehura historikisht, por vetëm konjuktura të përkohshme lobesh.

Organizata POLITIKE konsideron se negociatat e shqiptaro-serbe nuk mund të pronësohen nga asnjë qendër lokale shqiptare si Prishtina, Tirana, Mirëdita, Tetova, Ulqini, Korça apo Mitrovica.

“Si gjithë të tjerët, edhe ne shqiptaret e kemi kombin tonë, gjë që nuk na lejon të futemi në negociata si të veçuar. Hyrja në negociata me Serbinë është bërë nën presion, pa vullnetin e lirë dhe të shprehur të popullit shqiptar, qoftë nëpërmjet një referendumi. Këto negociata na cënjne ne si çdo shqiptar që kufijtë e vendosur nga jashtë në vitin 1913 nuk i kemi pranuar ende në ndërgjegjen dhe zemrat tona si kufij brenda zemrës dhe ndërgjegjes tonë. Shqiptar është ai që nuk ka kufij të brendshëm me qenien e vet”, - thekson Organizata POLITIKE.

Ajo pohon se vullneti kundër brendësimit të kufirit të jashtëm e ruan qenien shqiptare dhe e legjitimon thirrjen për ndalimin e negociatave të filluara nga kushdo që këta kufij të jashtëm i ka interiorizuar brenda vetes.

Kurse apelon: “Kombi për ne është dinjitet politik. Kjo është thirrje e vullnetit dhe e së drejtës për të pasur si të gjithë komb, për të qenë si të gjithë politik”.

Dhe në përfundim, Organizata Politike “thërret të gjithë njerëzit të bëjnë atë që mundet aty ku mundet për të ndaluar negociatat e filluara”, - duke siguruar se, - është në shërbim të kujtdo që shpreh vullnetin për të kontribuar në realizimin e këtij qëllimi.

a.b/NOA

KOMENTE