English

Pacolli: Kemi shumë për të unifikuar, ‘t’ia fillojmë punës’

Tiranë, 21 mars 2011, NOA – “T’ia fillojmë punës, pasi vendet tona janë me vonesë. Ekzistojnë tre investime të fuqishme të përbashkëta, koha, kapitali i përbashkët dhe sadisfaksioni për të vepruar”, deklaroi Presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Shqipërisë. Që në krye të fjalës së tij drejtuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Kosovës deklaroi se udhëtimi i tij i parë si president në Shqipëri u përkrye përmes rrugës së kombit autostradës Durrës-Kukës.

“Të gjithë duhet të shohim përpara në të ardhmen tonë”, tha presidenti i Kosovës.

Ai i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të mendojë më thellë e më gjatë dhe të mos kënaqet me rezultatet e deritanishme në rrafshin ekonomik, shoqëror, e politik.

“Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të heronjve tanë të përbashkët”, apeloi presidenti Pacolli.

Ai nënvizoi se Rruga e kombit është një nga arritjet për zhvillimin e trojeve shqiptare.

Duke mos dashur t’i quajë dy vende shqiptare, por thjesht trojet tona shqiptare, presidenti i Kosovës bëri thirrje që “Ne duhet të prodhojmë më shumë zhvillim, mirëqënie dhe afrim të shqiptarëve. Ne duhet ta përmbushim atë rrugë të kombit, të qarkullojmë më shumë mes nesh”, tha ai, duke nënvizuar se duhet të hiqen të tëra barrierat ekonomike mes Shqipërisë e Kosovës, si dhe ato të mallrave.

Presidenti i Kosovës bëri apel që Shqipëria e Kosova duhet të shkojnë drejt bashkimit kombëtar, jo në kuptimin administrativ, por në kuptimin e bashkëpunimit reciprok, të zhvillimit të hapësirave të përbashkëta, zhvillimit ekonomik, kulturor, arsimor.

“Askush prej nesh nuk e fsheh dëshirën për bashkim, por ne duhet t’i ndjekim aspiratat tona pa shkelur rregullat e Bashkimit Europian. E kam të vështirë ta imagjinoj këtë ideal kombëtar pa u nisur nga bashkimi i hapësirave tona të përbashkëta”, tha Pacolli.

Ai theksoi se pikërisht nën dritën e aspiratave evropiane ne duhet të institucionalizojmë takime të nivelit të lartë, madje madje sikundër tha ai, dy herë në vit.

“Propozoj takim të autoriteteve më të larta si ato në KiE, njëherë mes nesh por edhe rajonale, forum periodik të bizneseve”, tha Pacolli pasi sikundër u shpreh ai, “është jo normale që bizneset shqiptare të konkurojnë mes tyre në hapësirat rajonale, apo të jenë në varësi të ndonjë vendi të tretë”.

Presidenti i Kosovës bëri thirrje të krijohet një sistem energjetik i përbashkët që Kosova e Shqipëria të bëhen vende të rëndësishme të prodhimit të energjisë në rajon e më gjerë.

Gjithashtu ai përsëriti apelin për unifikimin e teksteve shkollore, unifikimin e gjuhës, sistemeve akademike.

Në këtë kontekst, Pacolli risolli në vëmendje se “Ne kemi shumë gjëra për të unifikuar, vetëm duhet t’ia nisim punës sa më parë e me sa më shumë energji”.

Kjo është vizita e parë jashtë Kosovës dhe pikërisht në Shqipëri e Behgjet Pacollit, si president i shtetit më të ri të Europës.

mit/NOA

KOMENTE