English

Pacolli: Unë, më shumë për njerëzit me aftësi të kufizuara

Qëndrim i Presidentit të Republikës së Kosovës me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Personave me Syndrom Down

Tiranë, 21 mars 2011 NOA - Presidenti i Republikës së Kosovës z. Behgjet Pacolli, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Personave me Syndrom Down, shprehu sot përkushtimin dhe mbështetjen institucionale drejt integrimit dhe pjesëmarrjes së plotë të personave me aftësi të kufizuara, si anëtarë të çmueshëm të shoqërisë kosovare

Korrespondenti i agjencisë NOA citon Pacollin të ketë thënë se Kosova sot po ballafaqohet me sfidat më të mëdha që nga çlirimi i saj duke nënvizuar se ato janë të shumta dhe do të jenë përgjegjësi e funksionit të Presidentit të Republikës së Kosovës.

Kurse veçoi se respektimi i të drejtave të njeriut është vlerë themelore evropiane dhe ndërkombëtare dhe në zemrën e mandatit të Presidentit të Republikës së Kosovës. Kosova aspiron që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe në këtë kontekst ajo përpiqet që t'i avancojë të drejtat e njeriut më aktivisht për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

Derisa Kosova po vazhdon me hartimin e ligjeve në përputhje me standardet evropiane për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, nevoja më e madhe është që institucionet e Republikës së Kosovës të jenë proaktive në sigurimin e zbatimit të tyre të mirëfilltë, - tha Pacolli.

Në këtë kontekst, - vijoi ai, - është shumë e rëndësishme që të krijojmë mundësi për personat me aftësi të kufizuara.

Sipas kryetarit të Kosovës, këto mundësi shtrihen nga garantimi që ata të kenë qasje në institucionet publike, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, arsimim cilësorë, mundësi për punësim dhe krijimin e kushteve për normalizimin e jetës së tyre të përditshme, të drejta këto themelore për të lëvizur dhe gëzuar jetën pa pengesa. Pacolli angazhohet se të drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara do të jenë subjekt i një vëmendjeje të veçantë të institucionit të Presidentit të Republikës së Kosovës duke respektuar parimet e përfshira në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përfshirë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Sipas tij, respektimi i të drejtave të njeriut duhet të jetë prioritet i çdo shoqërie të vlerave, andaj përpjekjet tona për të forcuar institucionet dhe një Kosovë ndryshe, duhet të trajtohen si virtyt dhe domosdoshmëri e kohës në të cilën jetojmë.

Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli me këtë rast angazhohet në evokimin dhe lobimin drejt mbështetjes së aktiviteteve që kanë synim përmirësimin e mirëqenies së personave me aftësi te kufizuar, ngritjen e vetëdijes së tyre dhe shoqërisë si dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme për ta.

a.b/NOA

KOMENTE