English

PAD, kërkesë KQZ: Regjistrimi i kandidatëve jo me çertifikata

Tiranë, 21 mars 2011, NOA - Partia Aleanca Demokratike i kërkoi sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të korrigjojë ose ndryshojë Modelet e Kandidimit, pasi kjo përbën një nga problematikat e procesit të regjistrimit të kandidatëve.

Duke iu referuar Vendimit të KQZ-së, nr.25, datë 16.02.2011, “Për miratimin e modeleve të kandidimit, që do të përdoren në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore 8 Maj 2011”, nënkryetari i PAD-së Genci Anastasi tha se të gjitha partitë janë duke hasur vështirësi dhe janë të interesuara që ta shmangin këtë procedurë, pasi është vendosur çertifikata si dokument identifikimi.

Anastasi kërkoi që ky lloj përcaktimi të ndryshojë.

Nënkryetari i PAD-së jep këto arsye për korrigjimin e procedurës pasi Kodi zgjedhor aktual është miratuar në Dhjetor të 2008-ës dhe nuk ka parashikuar ndryshimet e ndodhura më pas me ligjin nr. 10129 date 11.05.2009 “Për Gjendjen Civile”.

Në ligjin “Për Gjendjen Civile” përcaktohen të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, si të dhëna themeltare ku pasqyrohen përbërësit e gjendjes civile për çdo shtetas shqiptar.

“Pra, çertifikatat si edhe listat e zgjedhësve bazohen dhe gjenerojnë nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Sa më sipër, zyrat e gjendjes civile nuk lëshojnë, ose janë në shkelje të ligjit po të pajisin kandidatët që konkurojnë me çertikata në zgjedhjet vendore të 8 Majit 2011”, tha Anastasi.

Ai nënvizoi se verifikimi i kandidatëve nga KZAZ-të duhet të bëhet nga lista e zgjedhësve, e cila është edhe në trajtë elektronike, dhe ku jepen të dhëna të plota dhe të mjaftueshme për verifikimin e kandiatëve si: Emri, Atësia, Mbiemri, datëlindja, vendbanimi, vendvotimi i zgjedhësit, si dhe kodi 10 shifror, në të cilin përcaktohen Kodi i Njësisë së Qeverisjes Vendore, Kodi i Qendrës së Votimit ku do të votojë shtetasi dhe kodi i banesës.

Ndërkohë KQZ do të mblidhet nesër në orën 11.00 për shqyrtimin e kërkesës së PAD-së.

mit/NOA

KOMENTE