English

PS: Kontrabanda, dëmi për çdo makinë, 300 dollarë në vit

Tiranë, 21 mars, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Beqja tha sot se kontrabanda e naftës ka dëmtuar direkt xhepat e qytetarëve të Tiranës. Në një deklaratë për mediat, ai tha se nga përdorimi i naftës virgine në automjete, çdo përdorues makine ka paguar mesatarisht 300 dollarë për riparimin e mjetit.

“Secili prej 250 mijë pronarëve të automjeteve paguan 300 dollarë në vit vetëm për riparimin e shkatërrimit që llumi i bën makinave. Pra, janë 75 milion dollarë në vit që kanë dalë nga xhepat e qytetarëve shqiptarë për të pasuruar Saliun e familjen e Saliut, Ridvanin, Gencin, Lulin”, tha Beqja.

Ai u shpreh se dëmi që i është bërë shëndetit të qytetarëve është i pallogaritshëm.

“Ndërsa dëmi në mjedis dhe tek shëndeti i qytetarëve shqiptarë nga kanceri i mushkërive, sëmundjet e rrugëve te frymëmarrjes dhe sëmundjet kardio vaskulare është i pallogaritshëm. Llumi që u shitet shqiptarëve përmban 10 herë më shumë squfur se benzina”, tha ai.

Deputeti i PS-së shtoi se faji për këtë krim është i Saliut dhe prandaj qytetarët shqiptarë do t’i thonë njëzëri “kurrë më, këtij kusari që vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë dhe që helmon dhe vret për të vazhduar të vjedhë”.

Nga ana tjetër, Beqja akuzuar dhe ministrat e qeverisë, Ritvan Bode, Lulzim Basha e Genc Ruli për lejimin e kësaj kontrabande në vend.

“Fajin e ka Saliu për këtë humbje financiare që bie në kurriz të qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare. Evazioni fiskal nga kontrabanda e naftës vergin nga lejet tregtare të dhëna nga Genci, nga symbyllja e tatimorëve të Ridvanit nën kujdesin bodigardëve dhe policëve të Lulit është rreth 20 milion euro në vit”, tha ai.

Sipas Beqjes, Sali Berisha dhe oborri i tij fitojnë rreth 80 milion euro nga kontrabanda me naftën vergine, ndërsa ekonomia dhe qytetarët shqiptarë humbasin milionat nga mosshfrytëzim i kapaciteteve prodhuese vendase.

“Ky dëm 75 milion eurosh në vit. Plot 450 mijë tone gasoil importon Shqipëria me një kosto prej 700 dollarësh për ton, ndërsa nafta shqiptare e papërpunuar eksportohet me 400 dollarë për tonë. Fajin e ka Saliu për këtë humbje financiare që bie në kurriz të qytetarëve dhe ekonomisë shqiptare”, tha Beqja. Ai shtoi se “evazioni fiskal nga kontrabanda e naftës vergin nga lejet tregtare të dhëna nga Genci, nga symbyllja e tatimorëve të Ridvanit nën kujdesin bodigardëve dhe policëve të Lulit është rreth 20 milion euro në vit”.

a.k./NOA

KOMENTE