Tiranë, 21 mars 2011, NOA – Për presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, Tirana është kryeqyteti i kombit. Këtë togfjalësh me të cilin ka titulluar Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, presidenti i Kosovës e artikuloi gjatë prononcimit të tij pas takimit me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama.
Presidenti i Kosovës, i cili ka qenë një nga biznesmenët e njohur të Europës deklaroi se vizita e tij në Tiranë ishte një moment i këndshëm për të dhe se nuk do të jetë vizita e tij fundit.
“Unë do të vij dhe do ta vizitoj Tiranën, pasi aty ku ndërtohet është edhe vendi im”, theksoi presidenti Pacolli.
Në këtë kontekst Pacolli vlerësoi punën e kryebashkiakut Rama, që tashmë qeveris bashkinë e Tiranës prej dhjetë vitesh dhe po përgatitet tashmë për të katërtin mandat në kryeqytet.
“Vlerësoj seriozitetin e punës suaj, i tha kryebashkiakut Rama, presidenti i Kosovës, i cili më pas nënvizoi se “Do jap kontributin tim për Tiranën, pasi sikundër tha ai “Tirana është kryeqyteti i kombit”.
Gjatë takimit në bashkinë e Tiranës Kreu i Bashkisë Edi Rama i dorëzoi presidentit Pacolli “Çelësin e Tiranës”.
Në prononcimin e përbashkët për mediat kryebashkiaku Rama u shpreh se “Kjo ishte një vizitë e bukur dhe nuk kishte ditë me të përshtatshme për ta pritur Presidentin. Unë i dorëzova “Çelësin e qytetit” duke i shtrënguar dorën e vëllazërimit, bashkëpunimit, në të njëtën kohë kur kufiri tashmë bëhet simbolik”, nënvizoi kryetari i Bashkisë së kryeqytetit.
mit/NOA