English

Rama: Pranverë në Tiranë, s’dua ta mërzis Saliun me lajm të keq

Tiranë, 21 mars 2011, NOA – Edhe pse kishte paralajmëruar të premten se do të deklaronte sot në 21 mars emrin e kandidatit të opozitës për bashkinë e Tiranës, shefi i opozitës Edi Rama pas mbledhjes së sotme të grupit kuvendor socialist nuk ka dhënë asnjë emër për bashkinë e Tiranës, duke e argumentuar këtë me faktin se nuk donte t’i jepte një lajm të keq kryeministrit pikërisht në ditën e pranverës, 21 mars.

“Sot ishte përsëri pranverë në Tiranë, një ditë e mrekullueshme që nisi me daullet e paqes së fëmijëve dhe tani po shkon drejt fundit të saj me takimin me Presidentin e ri të Kosovës, që kam nderin ta mikëpres në Bashkinë e Tiranës dhe për hir të gjithë mrekullisë së kësaj dite dhe diellit, më lejoni të mos e mërzis as Saliun me ndonjë lajm të keq”, deklaroi kryetari i Partisë Socialiste njëherësh edhe kryebashkiaku i Tiranës.

Në mbledhjen e sotme të grupit të deputetëve socialistë u diskutua për kandidaturat e Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Duke iu referuar lajmit të keq për të cilin foli kreu i PS-së edi Rama, atëherë afërmendsh mund të mendohet se cili emër do ta mërziste disi kryeministrin Berisha, pasi siç dihet ka qenë Edi Rama, që ka bërë të humbin zgjedhjet në Tiranë për tre mandate rresht tre kandidatëve demokratë, Besnik Mustafajt, Spartak Ngjelës sot aleat i Ramës dhe kundërshtar i flaktë i Berishës dhe ish-ministrit të Brendshëm Sokol Olldashi.

Tashmë priten ditët e ardhshme për të parë kush do të ndeshet në ringun elektoral për Tiranën.

Më herët Partia Socialiste dhe aleatja e saj PBDNJ i kanë dhënë fund bojkotimit të dorëzimit të propozimeve për komisionerët e opozitës në KZAZ-të e vendit.

mit/NOA

KOMENTE