Bruksel, 21 mars 2011, NOA – Dorëhiqen dy deputetë të Parlamentit Europian, eurodeputeti rumun Adrian Severin dhe eurodeputeti slloven Zoran Taler. Dy ligjbërësit europianë kanë dhënë dorëheqjen pas publikimit të një skandali nga gazeta britanike “The Sunday Times”, ku raportohet se dy eurodeputetët bashkë me politikanin austriak Ernst Strasser kishin rënë në ujdi të propozojnë legjislacionin në këmbim të rryshfetit.
Gazeta britanike bëri me dije këtë fundjavë se ish-ministri i brendshëm austriak Ernst Strasser, ish-ministri i Jashtëm slloven, Zoran Taler dhe ish-ministri rumun Adrian Severin ranë dakord për të ndryshuar amendamentet në legjislacionin e PE-së në këmbim të parave.
Raporti u bë publik pas një hetimi që zgjati plot tetë muaj, gjatë të cilit disa gazetarë të “The Sunday Times” u shtirën si lobistë duke vjelur dorazi edhe informacionin e duhur që inkriminonte tre politikanët e lartë të BE-së.
Ky skandal ka tronditur Brukselin, ndërkohë që i dorëhequri i parë i skandalit ishte Ernst Strasser.
Në komentet për radion austriake Oe1, Ernst Strasser mohoi akuzat kundër tij, duke thënë se ai ka në dorë gjithçka e se kishte planifikuar të siguronte prova për policinë.
Ndërsa eurodeputeti slloven Zoran Taler theksoi se “ai dha dorëheqjen në mënyrë që hetimi të vazhdojë pa presionin e imunitetit kah zbardhjes së të gjitha fakteve”.
“Unë nuk e kam shkelur ligjin, unë nuk kam pranuar para”, deklaroi për gazetën eurodeputeti Taler.
Ai këmbënguli sakaq se ishte i hapur për një hetim të plotë me qëllim që çështja të merrte fund sa më parë.
Ndërkohë deri sa të qartësohet skandali edhe eurodeputeti Adrian Severin dha sot dorëheqjen nga posti i tij i nënkryetarit të Partisë Social Demokrate në Rumani.
Severin u thirr sot në Bruksel nga kreu i Grupit të Partisë së Socialistëve Evropianë Hannes Swoboda për të shpjeguar më shumë rreth skandalit të korrupsionit.
Në një konferencë për shtyp, Severin sfidoi akuzuesit duke thënë se “ai është në shënjestër për shkak se ai është ‘një rumun me ndikim’.
Severin argumentoi më tej se “Parlamenti Europian nuk ka nevojë për "rumunët me ndikim" në legjislaturën e tij”.
Eurodeputeti i dorëhequr Severin mohoi të kishte bërë diçka të paligjshme.
Adrian Severin hyri në politikë gjatë revoltës anti-komuniste të vitit 1989 dhe ka qenë ministër i Jashtëm i Rumanisë në vitet 1996-1997.
Ai u dorëhoq nga posti i ish-kryediplomatit rumun pasi kishte deklaruar se redaktorët kryesorë të paidentifikuar rumunë ishin të punësuar nga shërbimet sekrete të Rumanisë.
mit/NOA