Prishtinë, 21 mars, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë reagoi sot publikisht për shkeljen e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga zyrtarët e Komunës së Graçanicës.
Sipas njoftimit të KMDLNj, në zyrat e këtij institucioni kanë ardhur qytetarë të komunës së Graçanicës, përkatësisht qytetarët e Lagjes “ NIC”, të cilët janë ankuar se zyrtarët e kësaj komune u lëshojnë dokumente vetëm në gjuhën serbe me alfabetin cirilik. E njëjta procedurë ndiqet edhe për qytetarët e komuniteteve jo-serbe. Sipas KMDLNj-së banorët shqiptarë të kësaj lagjeje këtë e marrin si provokim.
KMDLNj shprehet se kjo është shkelje e hapur e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Ligji Nr. 02/L-37, saktësisht neni 7, 8 dhe 9 i Ligjit dhe Ligjin për Jodiskriminim përkatësisht Ligji Nr. 2004/ 3.
“Ligji për Përdorimin e Gjuhëve , përveç se garanton të drejtën e përdorimin të gjuhës në të gjitha fushat e komunikimit me qytetarë dhe obligon strukturat komunale që të themelojnë njësi të veçanta përkthimi. KMDLNj, konstaton se një diskriminim i tillë është i papranueshëm dhe me këtë i bënë thirrje Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe Komisionit të Gjuhëve që të ndërmerr masa për ndërprerjen e kësaj dukurie diskriminuese”, thuhet në njoftimin e KMDLNj-së.
Ndërkohë që e drejta për përdorimin dhe respektimin e gjuhës është e drejtë e garantuar jo vetëm me akte vendore por edhe ndërkombëtare.
“KMDLNj, thërret për vëmendje që diskriminimi në përdorimin e gjuhëve të mos shndërrohet në dukuri institucionale”.
a.k./NOA