English

“Të moderuarit e PS të punojnë me qeverinë”

Tiranë, 21 mars, NOA - I dërguarit i Bundestagut gjerman Roderich Kiesewetter deklaroi sot gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli se pjesa e moderuar në Partinë Socialiste duhet të punojë me qeverinë për integrimin e vendit. Ai ka kritikuar qëndrimin e Partisë Socialiste dhe rolin e saj bllokues përgjatë dy viteve në Kuvend.

“Vendi im, Gjermania, mundi të kapërcente vështirësitë pas luftës së ftohtë pikërisht duke patur një bashkëpunim të suksesshëm dhe krah për krah qeverisë, opozitës dhe popullit. Ndaj, kërkesa jonë do të ishte drejtuar opozitës dhe qeverisë për të kërkuar dialogun midis tyre. Gjithashtu do t’i drejtoheshim edhe forcave të moderuara të Partisë Socialiste për të bërë të mundur që të gjejnë, për të liruar rrugën e bashkëpunimit me qeverinë”, tha sot deputeti gjerman Roderich Kieseëetter.

Ai u shpreh se bllokimi i miratimit të ligjeve i sjell vendit dëmtim të procesit të integrimit në BE. “Në këtë mënyrë bllokohet miratimi i ligjeve të rëndësishme, bllokohet realizimi i kushteve të rëndësishme të cilat do të ishin të domosdoshme në përmbushjen e tyre për përafrimin dhe për rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Ne e dimë tanimë që Qeveria, shoqëria shqiptare duan në mënyrë të domosdoshme integrimin në Bashkimin Europian, ndaj është mjaft e rëndësishme për ne, që edhe opozita të jepte shenjat e veta në këtë drejtim, pikërisht për të arritur këtë qëllim final që është anëtarësimi në Bashkimin Europian”, tha ai.

Roderich Kiesewetter, u shpreh se si përfaqësues i koalicionit CDU/CSU unë do u drejtoja një thirrje të gjitha partive politike të këtij vendi, për të bashkëpunuar për të arritur këtë qëllim. Ai ka folur dhe për ngjarjen e 21 janarit duke theksuar se ato duhen të zbardhen plotësisht.

“Ngjarjet e 21 janarit duhet të sqarohen dhe mbi to duhet të hidhet dritë në mënyrë mjaft të kujdesshme dhe të qartë. Këtu element i domosdoshëm janë hetimet e kujdesshme dhe të pavarura, por sigurisht edhe një analizë e pastër e asaj çka u parapriu këtyre ngjarjeve dhe informimi i publikut në lidhje me këtë. Kjo do të ishte mjaft e rëndësishme për elementin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe për kredibilitetin e tij në vend”, tha Roderich Kiesewetter.

a.k/NOA

KOMENTE