Tiranë, 22 mars, NOA – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot gjatë festës së 19-vjetorit të fitores së Partisë Demokratike, se edhe 8 maji duhet të kthehet në një festë tjetër për vendin.
Në fjalën e tij, në Pallatin e Kongreseve, Berisha shtoi se “8 maji do të jetë festa e madhe e votës së lirë, e përkushtimit”. Ai vlerësoi si mjaft të rëndësishme pjesëmarrjen e të rinjve në këtë proces, duke kujtuar dhe kontributin që kanë dhënë në rrëzimin e diktaturës.
“Kjo është një ditë sërish për t’u zotuar para jush se do të bëjmë gjithçka për të shpërblyer me mirënjohjen dhe punën tonë, entuziazmin tuaj, programi ynë jeni ju, janë bindjet tuaja”, tha Berisha.
"22 marsit i vitit ’92 është dita që ndau historinë, dita e gëzimit të madh, e festës së madhe. Më 22 mijëra djem dhe vajza, burra dhe gratë përmbysën me votën e tyre diktaturën”, tha Berisha. Ai ftoi gjithë të rinjtë “që të mbjellim këtë pranverë fitoren”.
a.k/NOA