Tiranë, 22 mars 2011 – Pas mesazhit të ngushëllimit për viktimat e tërmetit të fuqishëm që goditi Japoninë në 11 mars dhe cunamit që e pasoi, kryeministri Sali Berisha zhvilloi sot homazhe në nderim të mijëra viktimave që shkaktoi tërmeti apokaliptik në ishullin japonez. Këto homazhe kryeministri Berisha i zhvilloi në zyrën e konsullit të përgjithshëm të nderit të Japonisë në Shqipëri, Avni Ponari.
Duke shprehur keqardhjen e tij për jetët e humbura dhe dëmet e shkaktuara nga kjo fatkeqësi, Kryeministri Berisha la një shënim në Librin e Ngushëllimeve të hapur me këtë rast.
Shefi i qeverisë shprehu solidaritetin dhe mbështetjen për qeverinë dhe popullin japonez në përballimin e kësaj situate tejet të vështirë.
Ai shprehu admirim për potencialin e jashtëzakonshëm me të cilin ky vend po e përballon këtë katastrofë natyrore, një nga pesë më të mëdhatë që kanë goditur botën.
Tërmeti i 11 marsit, me magnitudë 8.9 ballë të shkallës Rihter solli vdekjen e mijëra personave, ndërkohë që mijëra syresh rezultojnë të zhdukur, një tërmet që la pas edhe frikën e pamatë prej rrezatimit bërthamor, pas shpërthimeve të provokuara nga tërmeti apokaliptik në centralin bërthamor të Fukushimas.
mit/NOA