English

Berisha takohet me një grup të rinjsh të lindur në 22 mars ‘92

Tiranë, 22 mars, NOA – Kryeministri Sali Berisha, në nderim të ditës së parë të demokracisë në Shqipëri, zhvilloi një takim me 24 të rinj e të reja nga qytete të ndryshme të vendit, të cilat kanë të lindur në 22 mars të vitit 1992.

Duke i uruar 19 vjetorin e lindjes, Kryeministri Berisha tha se 22 marsi është një ditë gëzimi e papërshkruar dhe mbi të gjitha një ditë nderimi për të rinjtë, për rolin e tyre të padiskutueshëm në përmbysjen e diktaturës dhe regjimit komunist në Shqipëri.

“Sot vendosa të festoj me ju dhe t’ju uroj gëzuar këtë ditë. Secili prej jush lindi në një ditë fatlume dhe ju jeni fatlumë. Jeni të tillë, sepse lindët në ditën e lirisë së madhe, të lirisë së vërtetë dhe u rritet të lirë. Sigurisht, keni pasur vështirësi, por jeni fatlumë sepse nuk keni humbur asnjë ditë në diktaturë”, tha Berisha.

Ai u shpreh se kjo është një ditë e shumë e veçantë dhe një ditë nderimi për të rinjtë. “Po t’i rikthehemi asaj dite, ajo ka qenë një ditë gëzimi e papërshkruar, por para saj prindërit tuaj, vëllezërit dhe motrat tuaja më të mëdhenj, kanë jetuar një realitet tërësisht tjetër nga ky që jetojmë sot”, tha ai.

Kreu i qeverisë u shpreh pas 19 vitesh vendi mund të ishte më mirë, por ai ka shtuar se çdo ditë që kalon e bën këtë vend më të begatë.

“Ndoshta ky nuk është ai realitet që do ta donim të gjithë, por është një mijë herë më ndryshe dhe është një Shqipëri krejt tjerët kjo nga dita që keni lindur ju. Familjet tuaja në atë ditë kanë ndjerë gëzimin e dyfishtë, për lindjen tuaj dhe për zgjedhjet. Juve ju uroj datëlindjet, jetë të lumtur, shëndet, suksese e mbarësi dhe familjeve tuaja u uroj shumë gëzime!”, tha Kryeministri.

a.k/NOA

KOMENTE