Tiranë, 22 mars, NOA – Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli zhvilloi sot një takim me Kryetarin e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi. Në takim merrnin pjesë edhe Presidenti i Nderit, i PDIU-së, Tahir Muhedini dhe kryetari i degës së PDIU-së Tiranë, Abas Hado, bashkëbiseduesit folën mbi rëndësinë e një bashkimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës, duke njësuar tregun e dy vendeve dhe duke hequr të gjitha barrierat ekonomike.
Idrizi përshëndeti fjalimin e Presidentit të Kosovës në Kuvend, që ishte në përputhje të plotë me Komunuellthin Ekonomik Mbarëshqiptar, të propozuar nga PDIU.
“Ne mendojmë se krijimi i një tregu të përbashkët, është një përqasje realiste e çështjes tonë kombëtare”, tha Idrizi, duke shtuar se “ne përshëndesim thirrjen e Presidentit Pacolli drejtuar dy qeverive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, për krijimin e kushteve të nevojshme ligjore që të hiqen të gjitha barrierat ekonomike mes dy vendeve”.
Ai shtoi se çështja kombëtare, është një çështje që përqas të gjithë shqiptarët pavarësisht bindjeve politike dhe u zotua se do të përkrahë dhe do të iniciojë nismat e nevojshme që do të mundësojnë realizimin e Komunuellthit Ekonomik Shqiptar.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Bexhet Pacolli theksoi se njësimi i tregut, jo vetëm mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe mes shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Preshevë është një nevojë e ditëve të sotme, si edhe i uroi sukses Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në betejat e saj të ardhshme.
“Sot pata një takim me mikun tim Shpëtim Idrizi, me të cilin biseduam rreth nevojës së zhvillimit të një tregu të përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe në të ardhmen, zgjerimin e këtij tregu edhe me shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi dhe Preshevës” – tha Presidenti Pacolli, duke vlerësuar punën e zhvilluar deri më tani nga PDIU.
Gjithashtu, Idrizi e njohur bashkëbiseduesin me arritjet e PDIU-së, në çështjet kombëtare, mbi çështjen çame, si një problem që duhet zgjidhur dhe mbi nevojën e një politike kombëtare për diasporën.
a.k/NOA