English

Këtu qeverisin fituesit

Pas dështimit të aleancës me Dick Marty'in për ta ndaluar Hashim Thaçin që të rizgjidhet Kryeministër i Kosovës, tash forcat e njëjta politike, bashkë me një pjesë të shoqërisë civile dhe një pjesë të mediave, e kanë filluar Intifadën e dytë paranojake me moton e "Sundimit të Pakicës". E vërteta është se këtu po qeverisin fituesit

Nga Berat Buzhala

Pas dështimit spektakular të një pjese të shoqërisë civile, të një pjese të mediave dhe të një pjese të partive politike për ta fundosur reputacionin e Kryeministrit Hashim Thaçi në pritën hileqare që ia kishte zënë senatori zviceran Dick Marty, tash të njëjtit e kanë filluar një betejë tjetër, po aq të pashpresë për ta fituar, sa edhe ajo e para.

Nëse e mbani mend - e kjo është shumë afër dhe shumë e ndytë për t'u harruar kaq shpejt - pas akuzave që Dick Marty i ngriste kundër Kryeministrit të atëhershëm dhe të tashëm të Kosovës për trafikim të organeve dhe pas iniciativës që për këto akuza të fillonin hetimet, këtu tek ne filloi të shtrohej pyetja: A mundet Hashim Thaçi të jetë kandidat për një pozitë publike, pasi që tashmë potencialisht mund të konsiderohej nën hetime?

Çfarë kapërcimi historik. Tash ndërkombëtarët thoshin se për këtë nuk ka ndonjë pengesë, ndërsa një pjesë e vendorëve i fërkonin duart nga gëzimi që megjithatë do të duhej të ekzistonte pengesa. Keqardhje dhe pikëllim më së shumti ndjeja kur pretendime të tilla i dëgjoja prej zyratarëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Me liderin e tyre në Hagë, pikërisht për shkak të akuzave të këtyre natyrave, këta zyrtarë kërkonin viktima të tjera brenda vendit.

Dhe ishin shumë të interesuar që kjo të ndodhte. Që Hashim Thaçin, në pamundësi për ta mundur në zgjedhje - siç e do rendi demokratik - provonin ta mundnin në aleancë më Dick Martyn, me parlamentarët rusë në Këshillin e Europës që e kishin iniciuar rastin dhe me dosjet e shërbimit sekret serb, që ishin vënë në shërbim të këtij koalicioni.

Kjo ishte strategjia më e pandershme, më jopatriotike dhe më johumane e përdorur ndonjëherë në Kosovën e pasluftës, për të arritur deri tek pushteti. Të gjithë e kishin kristal të qartë, se iniciativa për t’u angazhuar Dick Marty si raportues për këtë rast kishte ardhur prej parlamentarëve rusë në Këshillin e Europës. Të gjithë e kishin të qartë se raportuesi Dick Marty, nëse nuk ishte në një vijë politike me Tomislav Nikolicin sa i përket statusit të Kosovës, aty - aty ishte; e çka është më e rëndësishmja, të gjithë e dinin - sidomos ata që kanë marrë pjesë në luftë - se trafikim të organeve nuk ka pasur dhe gati sa nuk gëzoheshin - e ndoshta kapak edhe gëzoheshin - që ta njollosin gjithë historinë, vetëm me një kusht - që të vinin në pushtet. Për ta përbaltur historinë, nëse bash kanë ndier ndonjë nevojë, atëherë kanë mundur që të zgjedhin rrugë më të shkurta, se sa të shkohet në Moskë. Për shembull që dosjet t'i marrim në Merdare, prej dorës së parë - Prokurorisë së Serbisë

Tash kur Parlamenti Europian e varrosi të vërtetën e Dick Marty-it, kundërshtarët e Qeverisë së Kosovës e kanë gjetur një arsye tjetër për luftë: dialogu Kosovë - Serbi.

Herë thonë se kjo qeveri është e papërgatitur për t'u futur në këto bisedime, herë se nuk kemi çka kërkojmë në këto bisedime, sepse ato i shkojnë në favor vetëm shtetit serb, herë se ne kemi tjera prioritete dhe se dialogun nuk e kemi prioritet, herë se ne kemi shkuar atje me profil shumë të lartë politik, e Serbia në nivel të këshilltarëve, e herë se këto nuk janë biseda teknike, por politike dhe se këtu është instaluar "sundimi i pakicës".

Teorikisht këto argumente mund të jenë të vërteta, ose së paku ndonjëra prej tyre. Mund të ndodhë edhe që asnjëra prej tyre të mos jetë e qëndrueshme. Mirëpo, për të diskutuar rreth validitetit apo jo të argumenteve, dikush duhet të dëgjojë. E këtu gatishmëria për të dëgjuar është minimale, kurse për të bërë zhurmë dhe për të ndjellur panik është maksimale, siç është maksimale dëshira për ta marrë pushtetin me çdo kusht.

Mirëpo, t'i trajtojmë ndaras këto argumente të kundërshtarëve të dialogut me Serbinë. Pse ne qenkemi të papërgatitur për të biseduar me palën serbe, ta zëmë, nëse bisedat janë teknike?

Pra nëse e marrim si të mirëqenë premtimin e Qeverisë se në Bruksel do të bisedohet vetëm për CEFTA'n, hapësirën ajrore, rrymën, ujin…, pse duhet të dyshojmë aq shumë se nuk do të dimë të përballemi profesionalisht me palën serbe? Ne tash e një dekadë i kemi të themeluara institucionet, që udhëhiqen prej kuadrove që paguhen për t'i trajtuar të gjitha këto probleme. Nëse as për një dekadë ne nuk kemi qenë në gjendje t'i identifikojmë problemet teknike që na e rëndojnë jetën, për shkak të sabotazheve që na i shkakton shteti serb, atëherë më mirë mos të ekzistojmë fare si shtet. Mirëpo unë nuk e vë në dyshim, se në ate zyrën e vogël, por të famshme të Cooperit në Bruksel, edhe përfaqësuesit e Doganave të Kosovës, edhe ata të KEK-ut, edhe ata të ministrive të ndryshme do të janë mjaftueshëm të përgatitur sa për të treguar se ku na dhemb më së shumti. Jam i bindur që dikush do të dijë të tregojë atje, se mallrat e prodhuara në Kosovë sot e kësaj dite nuk mund të depërtojnë në tregun serb, kurse mallrat serbe janë pjesë e pandashme e frigoriferit dhe tryezave të secilës familje kosovare. Pra nuk kërkohen asgjë më shumë se sa njohuri mesatare, ose nën mesatare, për t'i identifikuar problemet teknike. A shkojnë këto bisedime në favor të shtetit serb?

Absolutisht e mundshme. Mund të ndodh që fqinji i ynë armiqësor përfiton më shumë prej këtyre bisedimeve dhe ne do të plasim nga marazi për këtë fakt, mirëpo a është kjo arsye që t'i thuhet jo dialogut? Si t'i zgjidhim atëherë problemet që i kemi? Me luftë? Nuk e besoj që po mendoni në këtë opsion, sepse nëse jeni duke menduar kështu, atëherë aleatët tanë të luftës së vitit 1999 dhe të gjithë ata që na kanë njohur si shtet të pavarur, do të rreshtoheshin krah për krah me palën tjetër. Ju që kujdeseni aq shumë për reputacionin tonë në botë, paramendojini titujt në gazetat europiane kur do të shkruanin se Kosova iu tha jo bisedave sepse "Serbisë po i bien më mirë". Gallatë e madhe. Personalisht madje as nuk mendoj që kjo është e vërtetë. Nëse Serbia po e kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe për këtë i nevojitet t'i zgjidh disa çështje me ne, një ditë tjetër, qoftë kjo edhe pas disa vitesh, edhe ne do të kemi nevojë që t'i kemi të zgjidhura disa probleme me Serbinë. Kjo përveç tjerash, përndryshe çështjet që do të diskutohen në Bruksel janë çështje që e rëndojnë ekskluzivisht qytetarin. Po të mos ishte anëtarësimi në Bashkimin Europian, Serbia do të mund të jetonte e lumtur ndër shekuj, sepse problemet që janë në Kosovë nuk e rëndojnë aspak jetën e qytetarëve të atij vendi. Pra, Serbisë i intereson që të dialogojë me Kosovën, në mënyrë që të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, kurse ne kemi interes që të dialogojmë me Serbinë që t'ua hapim tregun prodhuesve kosovarë, që ta ndalim evazionin fiskal në veri, që t'i shkurtojmë rrugët ajrore; që t'i kthejmë librat kadastralë. Ka edhe shumë "që" të tjera, por më e rëndësishmja është që dialogut në mënyrë të civilizuar mund t'i thotë JO vetëm ndonjë vëlla ideologjik i Muammar El Gaddafit.

A ka Kosova tjera prioritete, apo dialogu është prioriteti kryesor?

Padyshim se në vendin tonë ka shumë probleme që e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe se dialogu mund të mos jetë as në top 10 problemet kryesore. Mirëpo prej kur një shtet merret vetëm me një problem në të njëjtën kohë? Nuk besoj që tash gjatë gjithë kohës kur ka dialog në Bruksel, ne këtu duhet ta ndalim jetën. Paralelisht Qeveria e Kosovës mund dhe duhet që të vazhdojë me punët ditore. Çfarë lidhje ka, për shembull, nëse Edita Tahiri gjendet në Bruksel dhe ne të mos bëjmë asgjë në shëndetësi, drejtësi, infrastrukturë, apo kulturë. Fare lehtë dhe pavërejtshëm mund të ndodhë që Edita të jetë në zyrën e vogël - por të famshme të Cooperit - kurse Ferid Agani duke inicuar reformat në shëndetësi, Hajredin Kuqi ato në drejtësi e kështu me radhë. Nuk është e thënë që kur marrim ndonjë iniciativë për t'i zgjidhur problemet e qytetarëve, të jemi të gjithë kokë më kokë në Kosovë. Prandaj, besoj unë, ndahen edhe sektorët dhe caktohen përgjegjësitë e secilit prej nesh. Prej të gjitha argumenteve pse nuk duhet të bisedohet, ky i prioriteteve më duket më i marri.

A gaboi Kryeministri kur e caktoi një zëvendës të tij si shef të negociatave?

Përpara se të provoj të jap një përgjigje rreth kësaj dileme, kisha dashur të pyes se a ju duket frazë e njohur kjo? A e mbani mend konferencën e Rambujesë, kur Serbia merrte pjesë me politikanë të ligës së tretë, kurse delegacioni i shqiptarëve të Kosovës nuk e kishte lënë mbrapa në Kosovë askënd që ishte dikushi. Edhe në atë kohë kishte paranoja të tilla, se Serbia po tallej me ne. Epilogun besoj e dini të gjithë. Pra nuk më duket shumë punë e zgjuar që të provojmë që përveç ekipit tonë në negociata, të provojmë ta caktojmë edhe ekipin e shtetit fqinj. Për ne është e mjaftuesheme që të bindemi se pala që gjendet në tryezën e bisedimeve legalisht e përfaqëson shtetin serb. Nëse ai është këshilltar, apo ministër, apo i sapoliruar nga burgu, për këtë le të vendos Presidenti Boris Tadic dhe Qeveria e Serbisë. Ne na mbetet vetëm që ta caktojmë përfaqësuesin tonë. Dhe unë mendoj se Edita Tahiri e plotëson profilin e dëshiruar për të qenë artileria jonë në këto biseda. Ndaç quajeni zëvendëskryeministre, ndaç kordinatore, e ndaç përfaqësuese speciale, e rëndësishme është që znj. Tahiri ta kryejë detyrën më përgjegjësi.

A janë këto biseda teknike apo politike?

Dikush thotë se me përfaqësuesit e shtetit serb edhe pirja e një kafeje është akt politik. Madje edhe një mirëmëngjes nëse i themi njëri-tjetrit, ky gjest fare lehtë mund të trajtohet si veprim strikt politik. Atëherë krejt çka u mbetet përfaqësuesve tanë në biseda me palën serbe është që as të mos pijnë kafe e as të mos përshëndeten, por vetëm të bisedojnë. Kjo po tingëllon qesharake, por në fakt qesharake janë insinuatat e tilla të bëra prej përfaqësuesve të partive opozitare. Qeveria e Kosovës e ka thënë qartë se me palën serbe do të bisedojnë strikt për probleme teknike dhe se për këtë janë zotuar edhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës, që janë edhe garant i pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, nëse ndokush prej Qeverisë, ose vetë udhëheqesja e bisedave, provon që ta tejkalojë mandatin që i është caktuar me rezolutë të aprovuar në Kuvendin e Kosovës, atëherë forcat opozitare le t'ia zënë pritën po në Kuvend. Nuk besoj që ndonjë qeveri do të mund të qëndrojë në këmbë, nëse kundër vullnetit të qytetarëve të vendit - e dihet cili është ai vullnet - provon të arrijë marrëveshje tinzare me shtetin serb. Çdo veprim i tillë torollak i dikujt, vetëm sa do t'iu shkonte për shtati forcave opozitare dhe do ta shpiente vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Pra pritni e shihni.

A po vendos këtu pakica për fatin e shumicës?

Në këtë dilemë shumë pastër është përgjigjur në një kolumne të tij Petrit Selimi, javën e kaluar, mirëpo po provoj ta shtoj edhe ndonjë gur në ketë mur, se në fakt nuk po vendos pakica për fatin e shumicës, por në përputhje me Kushtetutën në fuqi, këtu po vendos fituesi i zgjedhjeve. Dhe se kush konsiderohet fitues dhe kush humbës, kjo tashmë dihet. Subjekti politik, ose koalicioni që arrin t'i sigurojë 61 ulëse në Kuvendin e Kosovës, ai ka të drejtë që ta krijojë qeverinë dhe sëkëndejmi edhe të 'sundojë' me vendin. A janë këta 61 deputetë mostra reprezentative e vendit dhe a e përfaqësojnë këta shumicën? Pak ka rëndësi kjo, nëse për t'u caktuar rregulla të tilla ka vendosur shumica dërmuese. Pakon e Ahtisaarit, që e dizajnon mënyrën e formimit të institucioneve, e kanë votuar rrafsh të gjitha forcat serioze politike në vend, të cilat tash po frikësohen prej pjellës së tyre. Kush ka qenë më i zëshëm se Veton Surroi për më shumë të drejta të minoriteteve në vendin tonë? Me të drejtë ndoshta ankohej në vitin 1999 për klimën fashiste, që shumica po e krijonte për pakicën serbe në Kosovë. Edhe pse tash jam i bindur se diçka ka ndryshuar në pikëpamje. Ose ndoshta pikëpamjet ia ka ndryshuar pragu zgjedhor i vitit 2007. E ka bërë pak më ekstremist dhe dorështrënguar në raport me të drejtat e minoriteteve. Megjithatë, edhe atë prag vetë e kishte kërkuar, sikurse edhe të drejtat e serbëve. Tash le të argëtohet me idetë e tij interesante politike.

Përndryshe, në kolumnen e tij Petrit Selimi e kishte marrë një shembull nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e unë po e marr një shembull nga Britania e Madhe. Ka kohë që në këtë ishull ka nisur debati për ta ndryshuar Ligjin Zgjedhor, sepse vota popullore nuk është në përputhje me përfaqësimin e partive në Parlament. Konsiderohet se në Britani të Madhe mbi 60 për qind e votuesve janë liberalë, mirëpo për shkak të sistemit të pastër mazhoritar forcat konservative shumicën e kohës e udhëheqin vendin. Dhe, madje, këto forca, kryekëput për shkak të interesave të tyre politike, nuk pranojnë as të bëhen reforma në sistem zgjedhor. Ata nuk e përfaqësojnë shumicën e popullatës, por e përfaqësojnë një marrëveshje shoqërore, për të cilën janë dakorduar shumica. Ngjashëm është edhe këtu.

Apo jo?

Nuk e besoj që forcat tona politike po talleshin kur po caktonin kornizat e funksionimit të shtetit.

* Deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës. Kjo kolumnë është shkruar për Gazetën Express

KOMENTE