Lajpcig, 22 mars, NOA - Të dielën në Lajpcig u mbyll panairi i librit. Për Shqipërinë kjo pjesëmarrje e parë ishte shumë shpresëdhënëse. Në programin e ngjeshur organizuar nga rrjeti i botimeve Traduki autorët shqiptarë zunë vend dinjitoz.
Thonë se suksesi i një autori kuptohet nga librat e vjedhur në panair.
Një ngushëllim i vogël ky ndoshta për botuesin e Onufrit, i cili mbeti paksa i habitur të dielën në mëngjes, kur konstatoi se gjysma e librave të tij ishin zhdukur. Nga kompleti i shtrenjtë me veprat e Martin Camajt mungonin vëllimet gjashtë dhe katër. Edhe disa nga librat më të fundit të Ismail Kadaresë dhe "Statutet e Shkodrës" e kishin ndërruar pronësinë gjatë natës.
Por edhe me këto humbje, ose edhe për shkak të tyre, Hudhri, thotë se ka mbetur i kënaqur.
"Për mua, që merrem veçanërisht me letërsinë shqipe, është diçka e veçantë që u prezantuam në këtë panair kaq të rëndësishëm të botës. Ne kështu u japim shans të huajve të njohin jo vetëm letërsinë, por edhe prodhimin libror shqiptar", thotë Hudhri, i cili nuk e fsheh krenarinë, që ka dy emra të spikatur në katalogun e tij: Ismail Kadarenë dhe Martin Camajn.
"Sidomos më gëzon fakti, që po e prezantoj veprën e plotë të Camajt, pikërisht në atë vend, ku ai ka kaluar pjesën më të rëndësishme të jetës së tij". Krahas Onufrit në panair kishin ardhur edhe Ombra, Fan Noli, e Dituria.
Interes për letrarët e rinj
Por lexuesit gjermanishtfolës janë të interesuar edhe për letrarë të rinj nga vendi i Kadaresë. Kjo u pa tek dëgjuesit e shumtë, që kishin ardhur në të gjitha aktivitet e shqiptarëve. E ato ishin të shumta dhe të larmishme: Qysh në ditën e parë: Ardian Klosi e Petrit Ymeri i njohën gjermanët me disa nga protagonistët kryesorë të skenës së sotme letrare: Ledia Dushi, Luljeta Lleshanaku, Agron Tufa, si edhe Albana Shala, e cila për librin e saj të parë "Papa Dixhital" në vitin 2009 u shpall fituese e çmimit "Migjeni".Më pas u prezantua edicioni i dytë i antologjisë shumëgjuhëshe me titullin Grenzverkehr (Qarkullim ndërkufitar), ku Agron Tufa dhe kolegu i tij maqedonas Nikola Maxhirov treguan këndvështrimet e tyre për Vjenën. Ledia Dushi dhe dy kolege poetesha Stanka Hrastelj nga Sllovenia dhe Jelena Neleviç nga Mali i Zi të shtunën iu përgjigjën pyetjeve provokuese të kolegut të tyre mashkullor, poetit gjerman Hans Thill, për dallimet gjinore dhe etnike në poezi, ndërsa Ervin Hatibi dhe malazezi Vladimir Vojinoviç, në një diskutim me kritiken gjermane Christine Loetscher provuan t'i përshkruanin sfidat e globalizimit jashtë prizmit eurocentrik.
Improvizime muzikore
Në këto katër ditë Lajpcigu ishte pushtuar nga lexuesit, shumë prej të cilëve treguan një interes të jashtëzakonshëm ndaj letërsisë ballkanike. Kjo u pa sërish në sallën e stërmbushur të ish-kinemasë së vjetër UT Connewitz, ku u zhvilluan mbrëmjet me titullin "Der Balkan rockt". Ndryshe nga vitet e mëparshme ky aktivitet këtë vit ishte shtrirë në dy netë. Gjatë mbrëmjeve katërorëshe u prezantuan autorë nga shumë vende të ndryshme të Ballkanit. Luljeta Lleshanaku lexoi poezi nga libri i saj "Fëmijët e Natyrës" (Ombra), që është botuar në gjermanisht me të njëjtin emër në edicionin "Korrespondenzen". Me poezi u prezantuan edhe Agron Tufa dhe Albana Shala, ndërsa Ardian Kyçyku lexoi një tregim me titullin Grepi, nga edicioni aktual i vëllimit "horen" me titullin "Guximi për të kujtuar" (Një projekt i institutit Goethe).
Ndërmjet leximeve, diskutimeve dhe filmave, kishte disa intermexo muzikore nga grupi shqiptar Akkustika. Salla e kinemasë, sidomos ditën e shtunë, ishte aq plot, saqë nja 30 a 40 të tjerë ishin të gatshëm të duronin temperaturat dimërore dhe të rrinin me orë të tëra para portës me shpresën se do të lirohej ndonjë vend. Një shans i mirë ky për këngëtaren shqiptare Juli Ndoci dhe bashkëvendësen e saj, poeteshën Ledia Dushi, për t'u mësuar lajpcigasve disa këngë shkodrane. Kjo i bëri që disa vizitorë që të rrinin aty, edhe kur të lirohej vendi.
Fillesë e një dialogu
Por improvizim pati edhe brenda, kur grupi nga Shqipëria Akkustika dhe flautistin serb Bora Dugiç interpretuan një këngë nga Kosova. Një kombinim, që e preku poetin nga Sarajeva, Mile Stoiç: "Takime të tilla ndodhin vetëm në Lajpcig", tha ai. Këtë konstatim e kishte bërë në të njëjtin vend një ditë më parë publicisti dhe shkrimtari serb, Sasha Iliç, kur u bë prezantimi i antologjisë me autorë shqiptarë në gjuhën serbe "Nga Prishtina me dashuri" dhe simotrës me autorë serbë në gjuhën shqipe nga "Nga Beogradi me dashuri".
Dy antologjitë, që synojnë të nxisin dialogun ndërmjet dy letërsive fqinje, do të prezantohen në ditët e ardhshme në Prishtinë e Beograd. Iliç dhe partneri i tij kosovar, Jeton Neziraj, kanë vendosur që librat t'i shpërndajnë nëpër sa më shumë politikanë. Se si do të reagojnë ata ndaj letërsisë së vendit fqinj, kjo nuk dihet. Por se si do të reagojë lexuesi serb, kjo mund të llogaritet, po të nisemi nga aksioma e vjetër e botuesve, se suksesi shihet nga numri i vjedhjeve në panair. Atëherë të paktën për autorët shqiptarë mund të thuhet se shenjat janë të mira:
Në ditën e fundit të panairit në stendën e botuesit të antologjisë, rrjetit Traduki, nuk gjeje asnjë kopje të antologjisë kosovare në gjuhën serbe.
n.e/NOA