Tiranë, 22 mars 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për integrim Ilir Meta pas takimit me presidentin e Kosovës Behgjet Pacolli shprehu bindjen se presidenti i Kosovës pas kontributit të vyer për procesin e njohjeve të Kosovës do të konsolidojë edhe më tej pozitën e shtetit të ri në arenën ndërkombëtare.
Duke folur në një prononcim të përbashkët me Kreun e Shtetit të Kosovës, shefi i LSI-së shprehu besimin se “vizioni i presidentit Pacolli për ekonominë do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, por edhe zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve sikurse ai u shpreh dhe dje në Kuvendin e Shqipërisë”.
Duke shprehur kënaqësinë e takimit me presidentin e Kosovës dhe pas urimit për sa më shumë suksese në detyrën e tij, kreu i LSI-së Ilir Meta bëri me dije se “LSI mbështet politikën e presidentit të Kosovës, të qeverisë së Kosovës, mbështet forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve, midis dy qeverive, midis dy parlamenteve”.
Sipas Metës projektet madhore që po përparojnë me sukses në Shqipëri e Kosovë do t’i forcojnë akoma më tej edhe në progresion gjeometrik marrëdhëniet e shkëlqyera mes shqiptarëve në të dyja anët e kufirit, një kufi që sipas Metës është fare konvencional.
Meta vlerësoi rekomandimet e presidentit Pacolli duke theksuar se “rekomandimet e presidentit janë shumë të rëndësishme edhe për mua dhe jam i bindur që ky bashkëpunim i shkëlqyer do të thellohet edhe më tej. Jam njëkohësisht shumë i sigurt se në pozitën e re, presidenti Pacolli për shkak edhe të njohjeve të tij të shumta në të gjithë botën do të kontribuojë për një ritëm të ri të konsolidimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovë dhe ne të gjithë do ta mbështesim atë”, përfundoi shefi i LSI-së Ilir Meta.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim u takua me Presidentin e Kosovës në mjediset e “Hotel Sheraton” në kryeqytet.
Zoti Meta gjatë takimit shprehu mbështetjen maksimale për qeverinë e re të Kosovës dhe vlerësoi procesin e njohjeve të reja të Kosovës si një proces të pandalshëm.
Nga ana e tij, presidenti Pacolli vlerësoi kontributin që ka dhënë Ilir Meta për formimin dhe njohjen e Kosovës anembanë botës, qoftë në kohën kur ishte Kryeministër i Shqipërisë, por edhe si Ministër i Punëve të Jashtme.
mit/NOA