Tiranë, 22 mars, NOA - Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli vlerësoi sot kontributin e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në takimin e zhvilluara në ambientet mes Metës dhe Pacollit, në “Hotel Sheraton”, merrnin pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, z. Luan Rama si edhe dy deputetët e LSI-së, Vangjel Tavo dhe Lefter Koka.
Duke folur për takimin me Metën, Pacolli tha se “është një njeri që ka dhënë një kontribut shumë të madh për afirmimin e shtetit të Kosovës. Ka punuar shumë për njohjet që kanë ndodhur për Kosovën dhe mund t’iu them se ka lënë shumë punë të pakryera ende për shkak të mungesës së kohës. Dhe unë sot e luta mikun tim Ilirin, që krejt këtë bagazh që ka mbetur pa u kryer, që të vijë në Kosovë dhe të na ndihmojë ne”, tha Pacolli.
Ai u shpreh se puna nga Meta në këtë drejtim është shumë e rëndësishme për Kosovën. “Jam i sigurt se z. Ilir Meta me energjinë e tij, me karakterin e tij, me vullnetin e madh, do të përballojë çdo sfidë në mënyrë të suksesshme dhe ne jemi të sigurt se bashkëpunimi me z. Ilir Meta do të jetë shumë i madh. Ne e vlerësojmë çdo gjë që ai ka bërë për afirmimin e shtetit të Kosovës në të shkuarën. Jam i bindur se ky aktivitet do të vazhdojë edhe më tutje”, tha Pacolli.
a.k/NOA