English

PD përgënjeshtron: Makina e blinduar, trillim i Ramës

Tiranë, 22 mars 2011, NOA – Selia blu përgënjeshtroi këtë pasdite fjalët e përhapura nga selia rozë për blerjen e një makine të blinduar nga kryeministri Berisha. Zëdhënësja e Partisë Demokratike Albana Mustafaraj deklaroi se kryesocialisti Rama nuk i lë pas trillet e mashtrimet e përditshme as në ditën e Sulltan Novruzit dhe 22 marsit, festës kombëtare të fitores mbi diktaturën.

“Kështu sot ditën e përmbysjes së etërve të tij shpirtërorë dhe biologjikë, ai shpërndau në media trillimin e radhës, sipas të cilit, Kryeministri paska blerë një makinë të blinduar me një vlerë prej 700 milionë lekë, ndërkohë që Kryeministri Berisha nuk ka blerë gjatë viteve të tij si kryeministër as edhe një automjet të vetëm të blinduar apo të pablinduar”, bëri me dije zëdhënësja e PD-së.

Ajo sqaroi se kryeministri nuk ka nevojë as të blejë e t’i dhurojnë ndonjë automjet, duke nënvizuar se shefi i qeverisë disponon çdo gjë që i duhet për të përmbushur detyrën e tij si kryeministër.

“Trillimi i radhës i kreut të bllokmenëve të rinj shpreh thjesht krizën e rëndë psikologjike të njeriut të pa shpresë, që ushqen vetëm vehten me mashtrimet e tij e askënd tjetër”, tha zonja Mustafaraj.

mit/NOA

KOMENTE