Tiranë, 22 mars 2011, NOA- Policia e Tiranës ka dalë në një deklaratë zyrtare të saj ku është shprehur lidhur me arrestimet e ndodhura mesnatën e djeshme ndaj tre zyrtarëve të bashkisë.
Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se si pasojë e operacionit të koduar “Një kat më lartë”, tre punonjës të Bashkisë së Tiranës, pas një hetimi disa mujor janë arrestuar dhe krahas tyre edhe një person tjetër.
Mbi të ndaluarit rëndojnë akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Identitete e të arrestuarve deh funksionet e tyre janë: Adem Cenmurati, 43 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë Inspektor i Lartë pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Tiranë, Ylli Bala, 38 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë Inspektor i Lartë pranë Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik të Bashkisë Tiranë, Agustin Lekëgega, 36 vjeç, me banim në Tiranë, me detyrë punonjës policie pranë Bashkisë së Tiranës si dhe Simon Braolli, 48 vjeç, me banim në Tiranë.
Këto arrestime erdhën pasi nga veprimet hetimore dyshohet se në bashkëpunim me njëri tjetrin, tre zyrtarët bashkiakë kërkonin dhe merrnin shuma të ndryshme parash, që variojnë nga 300 000 deri 350 000 lekë, për të lejuar në mënyrë të antiligjore, persona të ndryshëm që të kryenin ndërtime të paligjshme në Tiranë.
Ndaj tre zyrtarëve u mor masa e arrestit për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”, ndërsa ndaj Brahollit, kjo masë u dha për veprat e “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërtimit të paligjshëm”.
a.y/NOA