Tiranë, 22 mars, NOA Update – Brenda një sasie vaji palmash, dyshohet se janë tretur plot 200 kilogramë lëndë narkotike e llojit kokainë, të cilat ishin nisur nga Kolumbia dhe ishin destinuar për t’u transportuar në territorin shqiptar, por në gjurmët e saj kanë rënë forcat hetimore dhe ato policore duke mundësuar bllokimin e saj.
Ky është lajmi më i fundit që konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, sipas të cilave itinerari që ka ndjekur kjo dërgesë ka qenë Kolumbi- Spanjë- Belgjikë- Austri- Slloveni- Kroaci-Serbi- Maqedoni-Shqipëri.
“Lidhur me këtë transportim është regjistruar procedimi penal nr. 22, për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike në bashkëpunim, parashikuar në nenin 283/a, paragrafi II i Kodit Penal”, citojnë burimet e prokurorisë.
Duke shtuar më tej, se kjo sasi droge u bë e mundur të bllokohet në qytetin e Gjirokastrës një kamion me targa maqedonase, (KU 190 CF dhe KU 590 CE), në kontenierin e të cilit ka qenë e ngarkuar një sasi vaji palmash ku dyshohet se është tretur sasia e lëndës narkotike të lartpërmendur.
Në këtë operacion janë shoqëruar disa persona të dyshuar, ndër të cilët edhe dy shtetas maqedonas, si dhe është ndaluar shqiptari me inicialet Dh. H. Njëkohësisht po vijon puna për zbulimin dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të këtij rrjeti kriminal....(vijon)
n.e/NOA