Tiranë, 22 mars, NOA – Partia Socialiste ka denoncuar blerjen e një makinë të blinduar nga qeveria shqiptare, duke e cilësuar si një skandal në shpërdorimin e parave të taksa paguesve. Deputeti i PS, Taulant Balla tha në një deklaratë për mediat se kreu i qeverisë është peng i makthit të tij.
“Si ka mundësi që një kryeministër që pretendon se e ka zgjedhur populli me votë të lirë sot është peng i makthit të tij? Kurrë më shqiptarët nuk do t’i besojnë gënjeshtrave e turpeve të Kryeministrit kusar e vrasës”, tha sot Balla.
Ai u shpreh se është kjo makinë ka një vlerë prej 700 milionë lekësh dhe vendimi për blerjen e saj është fshirë nga faqja on-linë e Qeverisë.
“Vetëm për makthin e Sali Berishës, me paratë e shqiptarëve, është blerë kjo makinë bunker. Me një vendim të veçantë datë 5.11.2010, me nr. 867, me paratë e rezervuara për raste të emergjencave civile dhe fatkeqësish natyrore, Këshilli i Ministrave të matrapazllëqeve ka blerë një autoblindë për Kryematrapazin Sali. Më e turpshmja është se sot ky vendim është fshirë nga regjistri online i vendimeve të Këshillit të Ministrave. Pushteti i kusarisë e matrapazllëkut, cili vodhi zgjedhjet për të vjedhur Shqipërinë, pushteti që drejtoi armët mbi popullin e tij duke vrarë më 21 Janar protestues të pafajshëm, për të vazhduar të vjedhë, është kthyer tashmë në një bunker”, tha Balla.
Nga ana tjetër i theksoi se Sali Berisha u hoqi makinat policëve, prokurorëve, gjyqtarëve, institucioneve kushtetuese, gjoja për të kursyer nga shpenzimet e shtetit.
“Të gjitha këto mjete e para i këmbeu me një makinë të vetme, një autoblindë luksi për veten. Nga taksat e shqiptarëve, nga pasuria e përbashkët, me 700 milionë lekë është blerë ky autoblindë për Kryeministrin e qeverisë me bllok në dorë. 700 milionë lekë për një bunker me rrota”, tha ai.
Sipas Ballës me çmimin që është blerë kjo makinë do të ishin paguar 10 mijë pensione.
“Sot më shumë se kurrë është e qartë se Saliu nuk është një kryeministër i një vendi demokratik, i zgjedhur me votë të lirë, por vetëm një autokrat që ka frikë nga populli.
Kurrë më shqiptarët nuk do ti japin votën e tyre Sali Berishës”, tha ai.
a.k./NOA