English

Rea, modelja shqiptare kritikon botën: Mos sulmoni Gedafin

Rea Beko, e reja shqiptare, myslimane e konvertuar që ka takuar Gedafin e për të cilin ushqen ndjenja të ngrohta simpatie. Nuk ka kaluar pa i rënë në sy shtypit, për të kanë shkruar verën e shkruar prestigjiozet italiane “Corriere della Sera” dhe “Il Fatto Quotidiano”

Romë, 22 mars 2011 - Rea Beko nuk është një shoqëruese çfarëdo nga 500 modelet-shoqëruese të Gedafit në Romë: Është një nga ato tre vajza që u konvertua në myslimane pas takimeve me kolonelin. Dhe për konvertimin e saj foli me Corriere della Sera, duke shkelur me këmbë “urdhëresën” e parë të agjencisë Hostessweb për 500 vajzat e rekrutuara për orën e mësimit të fesë me liderin libian.

“Ndihem e pastruar shpirtërisht dhe mbaj ramazan” shprehet ajo për gazetarët. Me sa duket “thirrja” e Muhametit duhet të ketë qenë tejet e fuqishme – nxjerr konkluzionet Il Fatto Quotidiano – pasi deri ca muaj më parë nuk kishte asnjë konsideratë për ligjet e Kuranit.

Në Youtube dhe Facebook mund të gjesh filmime të shumta të ekspeditës së një grupi të përzgjedhurish nga shoqërueset që kishin dëgjuar “leksionin” e parë të Gedafit, në vitin 2009. Është edhe Rea, me gotën e birrës përpara dhe në krah një burrë që i përkëdhel leshrat e verdhë. Nuk mund të thuash që kishte ndër mend Mekën ato çaste!

Tani është konvertuar dhe ajo thotë me çiltërsi “Tani i fejuari më thotë: më në fund u mbulove, më parë kur kaloje rrugës të shikonin të gjithë...” (Corriere della Sera). Vazhdon më pas rrëfimin e saj: “Koloneli është si ata njerëzit e urtë antikë të cilëve u drejtoheshin kalorësit para se të shkonin në betejë. I urtë që të jep këshilla...”.

Rea ka lindur në Tiranë 28 vjet më parë dhe jeton në Itali që kur ishte 15 vjeçe. Babai është sipërmarrës, nëna rrobaqepëse, ndërsa ajo ka mbaruar në La Sapienza për shkenca shoqërore dhe sot është agjente financiare me ëndrrën që një ditë “të bëhet kryebashkiake e Romës” siç thotë ajo duke qeshur, citon faqja e emigrantëve në Itali, Shqiptari i Italisë.

Rrëfen që ka nisur të lexojë Kuranin kur ishte e vogël. “Më parë isha ortodokse por gjithnjë kam treguar interes për fetë e tjera, kam studiuar shumë. Ndoshta sepse në vendin tim nuk ishte kaq e lehtë të ishe besimtar”. (Po ku di gjë ajo për Shqipërinë ateiste – mund të thotë me të drejtë ndokush – ka lindur në vitin 1983, ishte ende e vogël për të pasur këto dyshime mbi besimin e saj fetar!)

Më pas, Rea jep edhe mendimin e saj të thellë filozofik: “Të krishterë e myslimanë jemi të gjithë persona, edhe mikesha ime C. Evans, shoqëruese dhe aktore erdhi në Libi për të takuar Gedafin. Koloneli i dhuroi edhe asaj një varëse të florinjtë me portretin e tij, por ajo nuk u konvertua, ka mbetur e krishterë. E megjithatë jemi akoma mikesha”.

Modelja shqiptare: Gedafi nuk është diktator

Ditën e shtunë, më 26 mars, në Romë është në program një manifestim në favor të liderit libian Gedafi, i organizuar nga Hostesssweb. Është kjo agjencia online e modeleve që ka planifikuar takimet e tij në Romë në shkurt të vitit 2009 me një grup prej 500 vajzash.

Në një komunikatë agjencia bën të ditur se “gjatë dy vjetësh kemi qenë në Libi dhjetëra herë, rreth njëqind të rinj, vajza dhe djem, në çadrat e tij (Gedafi). Kemi ngrënë bashkë hurma Arabie e kemi pirë qumësht deveje, kemi diskutuar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se cila është konsiderata që të rinjtë italianë kanë për Libinë, kemi folur për politikë, fe, për të ardhmen e punës, për sportin, për gjithçka… Ai ka dëshmuar shumë interes për mendimet tona dhe ka thënë që është mik yni..”

E prandaj kjo agjenci kërkon që ndryshe nga të tjerët, përpara se ta “mohojë si mik”, duhet marrë vesh mirë se ç’po ndodh realisht.

E ndër qindra vajzat që ndihmuan liderin libian të kalojë ditë të këndshme gjatë vizitës së tij në Romë, është shquar modelja shqiptare Rea Beko. 28-vjeçarja është bërë myslimane dhe ka bërë disa udhëtime në Libi.

Në një intervistë të botuar nga agjencia e lajmeve ANSA, Rea rrëfen “bashkë me tre vajza të tjera kemi vizituar gati gjithë Libinë. Të gjithë personat e stafit të tij na kanë trajtuar si mbretëresha, si motra, me respekt të pamasë për feminilitetin tonë”.

E reja shqiptare u bë e njohur sepse në një grup prej 250 modelesh që takuan Gedafin, ishte e vetmja që ngriti dorën kur ai pyeti se kush e kishte lexuar Kuranin. Ajo tregon se “nga ai çast ai u interesua menjëherë për të dhe se përfitoi menjëherë nga ftesa për të vizituar Libinë. Pas dy javësh u nisëm, ishim 12; mes tyre dhe një vajzë me origjinë nga Libia, njëra që po përfundonte tezën e diplomës mbi Gedafin e një tjetër që studionte arabisht. Në fillim ishim pak të frikësuara, nuk njihnim vendin, kulturën, ndonjëra kishte frikë se mund të na lëndonin, por kur u ndamë, i kishim sytë me lot. Të gjithë u treguan vërtet mikpritës”.

Përshkrimi i Rea Bekës është shumë larg skenarit të rrëfyer nga burime të tjera, modelja shqiptare flet për një vend të qetë ku “populli e donte liderin e vet dhe që ishte krenar për nivelin e jetesës, më i lartë se fqinjët e vendeve të tjerë afrikanë. Mbase Gedafi mund të ketë fajet e veta, metoda të ndryshme nga tonat, por është i vetmi që i ka dhënë një identitet Libisë. Ndërhyrja ushtarake, sipas meje, nuk është një mision paqeje, por një luftë për naftën” përfundon modelja shqiptare e cila me sa duket e njeh nga afër realitetin e vendit.

KOMENTE