Tiranë, 22 mars 2011, NOA – Një ngjarje të veçantë për mjekësinë shqiptare e ka cilësuar kryeministri Sali Berisha inaugurimin e spitalit të dytë amerikan në Tiranë. Ish-kardiokirurgu Berisha duke shprehur mirënjohjen për këto investime të rëndësishme për shëndetësinë që nisën vite më parë, e konsideroi ngritjen e spitaleve amerikane si një histori suksesi e bazuar në pasionin dhe përkushtimin për të shpëtuar jetë njerëzish.
“Vite më parë ju e filluat këtë veprimtari në një terren me shumë të panjohura për ju dhe rrezikuat jo pak, por pasioni dhe humanizmi për të ndihmuar këtë vend dhe këta qytetarë ishin shtytja për të vazhduar përpara”, vlerësoi kryeministri.
Ai vazhdoi më tej duke theksuar se “guximi pasioni dhe përkushtimi juaj bëri që kjo të jetë një histori suksesi, dëshmi madhore e këtij suksesi është spitali që po inaugurojmë ne sot”, tha shefi i qeverisë.
Ai bëri me dije se këtë sukses e dëshmojnë qindra e mijëra jetë të shpëtuara nga ekipet mjekësore amerikane.
“Ekipet tuaja u bënë pionierë të transplantit të veshkave dhe një serie operacionesh të parealizuara më parë në Shqipëri, për të cilat shqiptarët ndërmerrnin rrugët e dheut për t’i kryer”, shprehu mirënjohjen kryeministri.
Ai theksoi se spitali i dytë amerikan përbën të katërtin nga investimet e rrjetit spitalor ndër më efiçentët në Shqipëri.
Sipas kryeministrit Berisha spitali i ri amerikan kap vlerën e 20 milion eurove.
Ndërkohë gjatë ceremonisë kreu i bordit të spitalit të dytë amerikan tha se lajtmotiv i punës do të jenë arritje e standardeve më të larta në shëndetësi.
mit/NOA