Tiranë, 22 mars 2011, NOA – Në ditën e Sulltan Novruzit, festa e bekuar e besimtarëve bektashinj që përkon edhe me 19-vjetorin e fitores historike të demokratëve pas rrëzimit të diktaturës, kryeministri Sali Berisha i uroi besimtarët shqiptarë në këtë ditë shprese, besimi, mirësie dhe mirëkuptimi. Kryeministri Berisha dhe bashkëshortja e tij Liri Berisha vizituan në mesditë selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, ku u takuan me kryegjyshin botëror të bektashinjve Haxhi Dede Reshat Bardhi.
Kryeministri në mesazhin e tij për mediat shprehu mirënjohjen më të thellë për figurat e shquara të bektashizmit në Shqipëri, të cilët sikundër vlerësoi kryeministri kishin të shkrirë në një, vlerat hyjnore, njerëzore dhe atdhetare.
“Për shqiptarët, bektashinjtë janë gjithashtu dhe ndërtuesit e doktrinës kombëtare. Janë ata burra të shquar që shkruan librin e shqiptarisë. Bektashizmi në çdo kohë ka qenë dhe mbetet doktrinë atdhetarie dhe së bashku me besime të tjera të mëdha e ka bërë Shqipërinë vendin me pasurinë hyjnore më të pasur, kombin me pasurinë hyjnore më të çmuar”, theksoi kryeministri teksa po dilte nga selia Kryegjyshatës botërore të Bektashizmit.
mit/NOA