English

Thaçi pret në takim ambasadorin e Kroacisë dhe atë të Çekisë

Prishtinë, 22 mars , NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në dy takime të ndara ambasadorin e Kroacisë në Prishtinë, Zoran Vodopija dhe atë Republikës Çeke, Jiri Dolezel.

Takimet ishin njohëse dhe janë shprehur qëndrimet për vazhdimin e bashkëpunimit të Kosovës me këto dy vende.

Konkretisht, në takimin me ambasadorin kroat, kryeministri Hashim Thaçi i ka shprehur falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë për Kosovën.

Ai ka theksuar angazhimin e qeverisë së Kosovës për thellimin e marrëdhënieve miqësore me shtetin dhe popullin kroat si dhe ka premtuar se qeveria e Kosovës do të këtë përkujdesjen dhe njohjen kushtetuese për komunitetin kroat në Kosovë.

Nga ana e tij, ambasadori Zoran Vodopija ka shprehur angazhimin dhe gatishmërinë e Kroacisë për të vazhduar me politikat e mbështetjes në fushat politike, ekonomike, arsimore dhe shkencore për Kosovën.

Ai ka theksuar gjithashtu se Kroacia do të mbështes Kosovën në procesin e integrimeve evropiane.

Edhe në takimin e kryeministrit Hashim Thaçi me ambasadorin çek, Jiri Dolezel, është shprehur vendosmëria e bashkëpunimit dhe angazhimit për të çuar përpara marrëdhëniet në mes të dyja shteteve.

Në veçanti, është theksuar bashkëpunimi në procesin e integrimeve evropiane, që është një nga prioritetet kryesore të qeverisë së Kosovës.

n.e/NOA

KOMENTE