Tiranë, 22 mars 2011, NOA – ...asgjë nuk më ka lënë mbresa më të pashlyeshme, gjurmë më të thella tek unë, Lulzim Basha sesa çertifikimi i fitores së 22 marsit më 1992 si vëzhguesi 17 vjeçar.
Nga Lulzim Basha
19 vjet më parë në ambjentet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve këtu në këtë godinë, në moshën 17 vjeçare, unë pata fatin e madh të isha, ndoshta vëzhguesi më i ri, që monitoroi procesin e zgjedhjeve të 22 marsit 1992.
Përfundimi i këtij procesi nuk ishte vetëm një fitore politike historike e Partisë Demokratike, ajo ishte fitore e të gjithë shqiptarëve, fitore e lirisë mbi shtypjen, e dashurisë mbi urrejtjen, e të ardhmes mbi të shkuarën.
Le të ndalemi sot për një çast ta shqyrtojmë atë moment magjik për gjithë shqiptarët dhe të falenderojmë ata që e bënë atë të mundur.
Vitet që pasuan me fitoren epike të së mirës ndaj të keqes, janë të mbushura me sfida, arritje, disfata dhe ngadhnjim në përpjekjen tonë të kahershme për një demokraci sa më të përsosur, por ne nuk e humbëm kurrë kurajën, sepse luftuam si njerëz të lirë për këtë kauzë të drejtë.
Ne zgjodhëm të jemi të lirë, sepse duam që fëmijët tanë të jetojnë të lirë, edhe fëmijët e fëmijëve tanë.
Të dashur miq, atë ditë, brenda meje lindi natyrshëm një vendim i heshtur, përkushtimi për të bërë gjithçka që unë mundem për ta çuar sa më përpara këtë vepër që Partia Demokratike nisi më 22 mars 1992.
Prandaj, sot këtu midis jush jam krenar që jam pjesë modeste e kësaj force historike që transformoi historinë e Shqipërisë moderne, Partisë Demokratike.
Të dashur miq, sot, 19 vjet më pas Shqipëria e ka zëvendësuar skamjen me progresin, pasigurinë me anëtarësimin në NATO, izolimin e skafeve të vdekjes, me lëvizjen e lirë e qytetarëve shqiptarë. Arritja tek lëvizja e lirë nuk ishte e lehtë, kishte shumë pengesa dhe paragjykime, paragjykime që duheshin kapërcyer.
Kujtimet e eksodeve masive dramatike ishin të freskëta dhe provokimet e qëllimshme nga brenda vendit nuk mungonin, por ne kishim dhënë fjalën dhe unë bashkë me ju pata shansin, nderin, privilegjin, të jap ndihmën time në kapërcimin e kësaj pengese të padrejtë për shqiptarët, në realizimin e lëvizjes së lirë, lëvizjen e lirë për shqiptarët.
Nëna dhe motra, prindër dhe fëmijë, gjyshër dhe mbesa lëvizin sot lirisht në mbarë Europën.
Sa mirë për të gjithë ne, por mos harroni ky ishte një hap që ne hodhëm, një hap në rrugën që nisëm më 22 mars të vitit 1992.
Të gjitha këto ndryshime, i gjithë ky pozitivitet, e gjithë kjo energji transformuese e ka zanafillën tek 22 marsi, prandaj edhe pse pata privilegjin të jem ministër i Jashtëm kur u anëtarësua Shqipëria në NATO, edhe pse me 50 nga qindra mijëra studentë shqiptarë, hodhëm hapin e parë si qytetarë të lirë me 15 dhjetor 2010, asgjë nuk më ka lënë mbresa më të pashlyeshme, gjurmë më të thella tek unë Lulzim Basha sesa çertifikimi i fitores së 22 marsit më 1992 si vëzhguesi 17 vjeçar.
*Fjala e Ministrit të Brendshëm Lulzim Basha në festën e organizuar nga Forumi Rinor i Partisë Demokratike me rastin e 22 Marsit