English

Akademia e Arteve të Bukura shndërrohet në “Universitetin e Arteve”

Tiranë, 23 mars 2011, NOA – Qeveria vendosi sot shndërrimin e Akademisë së Arteve në Universitetin e Arteve. Duke folur në mbledhjen e përjavshme, kryeministri Sali Berisha deklaroi se ky është një vendim i vonuar, pasi sikundër tha ai trupa pedagogjike e këtij universiteti gjatë gjithë këtyre viteve ka arritur nivele të larta profesionale.

“Ajo ka arritur në përgatitjen e artistëve të të gjitha zhanreve, ka arritur të hapë një seri katedrash dhe degësh të reja, të cilat kanë hapësire të gjerë në tregjet tona. Trupa pedagogjike Ka arritur t’i përgjigjet tregut dhe vendimi i shndërrimit në universitet është një vendim që përshtate plotësisht me statusin e realizuar nga profesorët, pedagogët, studentët e këtij universiteti”, nënvizoi kryeministri.

Shefi i qeverisë informoi ministrat se talentet e shkolluara në këtë akademi kanë bërë dhe po bëjnë emër në skenat e galeritë e mbarë Evropës e botës.

Sipas tij artistët shqiptarë me idetë e tyre kanë gjallëruar krejtësisht krijimin artistik dhe jetën artistike kulturore të vendit.

Duke shprehur vlerësimin e tij dhe nderimin për drejtuesit e Akademisë së Arteve të Bukura shefi i ekzekutivit i uroi studentët dhe pedagogët për këtë eveniment shumë të rëndësishëm.

“Urojmë që në këtë traditë Universiteti i Arteve të Shqipërisë të vazhdojë të udhëheqë si qendra kryesore e këtij lloji për të gjithë botën shqiptare”, tha kryeministri Berisha.

mit/NOA

KOMENTE