Tiranë, 23 mars, NOA – Kompania Eagle Mobile do të mbështesë si sponsor i përgjithshëm Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit për vitet 2011-2012. Marrëveshja u nënshkrua sot nga Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Ali Taşkın dhe Drejtori i Përgjithshëm i TKOB Zhani Ciko.
Në një komunikim për mediat Drejtori i TKOB z. Zhani Ciko dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile z. Orkunt Yozgat e vlerësuan këtë si një zhvillim pozitiv për artin dhe kulturën shqiptare.
Drejtori Ciko falënderoi kompaninë Eagle Mobile për mbështetjen për institucionin që drejton dhe bëri një prezantim lidhur me sezonin artistik të këtij viti dhe surprizat që vijnë nga TKOB. Ai ka njohur të pranishmit me implementimin e ligjit të ri dhe ndryshimet e rregullimet që sjell ai. Krahas shpalljes së Bordit Artististik dhe strukturës së re të Teatrit, Ciko ka prezantuar kalendarin artistik që zgjat deri në fund të Dhjetorit. Ai ka theksuar se tashmë është ndërmarrë një projekt në lidhje me turizmin kulturor, një tur i operas dhe baletit në qytete si Vlora dhe Korça, ku do të ketë gala me numrat më të zgjedhur artistik të repertorit, për të tërhequr vëmendjen e këtyre qendra drejt zhvillimit të e artit të madh në Shqipëri.
Ndërkohë, zv/Drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile Dr. Orkunt Yozgat theksoi se kompania ndihet e nderuar që mbështet Teatrin e Operës dhe Baletit për dy vitet në vijim. “Ndihemi të nderuar që japim kontributin tonë në këtë fushë. Eagle është tashmë një kompani e konsoliduar. Prej kohësh kemi menduar të japim kontributin tonë në këtë fushë. Falënderojmë TKOB që na e dha këtë mundësi. Personalisht ndihem i nderuar që ulem sot përkrah një prej mjeshtërve më të mëdhenj të kulturës në Shqipëri, prof. Cikos” tha Yozgat.
Më pas artistët e TOB dhe gazetarët morën pjesë në një koktej të organizuar nga kompania Eagle Mobile.
Krahas arsimit, të cilin Eagle e ka shpallur prioritetin e saj për këtë vit, kompania mbështet edhe kulturën dhe artin në Shqipëri, si një pjesë e rëndësishme e formimit kulturor dhe artistik të brezave të rinj.
NOA