Tripoli, (Libi), 23 mars, NOA – Kolonel Gedafi u rikthehet daljeve në publik. Ai ka folur para mbështetësve të tij në Tripoli me një gjuhë të ashpër kundër koalicionit perëndimor, e sidomos SHBA-së.
“Në fund do të fitojmë ne”, thotë Gedafi i shfaqur para mbështetësve në rrënojat e pallatit të tij të rrëzuar nga bombardimet e forcave aleate në kryeqytetin libian.
“Unë qëndroj këtu me legjitimitet dhe nuk u druhem avionëve që mbjellin vdekje. Të manifestojmë të gjithë bashkërisht kundër kolonializimit. Bashkohuni me ne! Po përballemi me një agresion të padrejtë. Amerikanët dhe europianët janë nazistët e kohëve moderne”, tha para mbështetësve të tij Gedafi.
Ndërkohë, pavarësisht optimizmit të kolonelit libian, liderët ndërkombëtarë të koalicionit po diskutojnë modalitetet e përfshirjes së komandës së NATO-s në operacionet e ndërmarra kundër Gedafit.
NOA