English

Jones: SHBA do të mbështesin decentralizimin

Tiranë, 23 mars, NOA - E Ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Deborah Jones, deklaroi sot se mbështetja e SHBA-ve për decentralizimin e pushtetit vendor do të vazhdojë edhe në vitet në vijim. Deklarata e diplomates amerikane në Tiranë uë bë sot në aktivitetin e organizuar nga Programi i USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni si dhe drejtues të pushtetit vendor.

Diplomatja amerikane gjatë fjalës së saj theksoi “mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për vazhdimin e procesit të decentralizimit në Shqipëri, si dhe nevojën e njësive të qeverisjes vendore për të vazhduar reformat dhe për të përmirësuar administrimin e burimeve, ofrimin e shërbimeve për qytetarët, si dhe mbrojtjen me efektivitet të interesave të komuniteteve të tyre”.

Që prej vitit 2007, Programi i USAID-it për Qeverisjen Vendore në Shqipëri (LGPA) ka punuar me dhjetë bashki në një sërë veprimtarish që nxisin zhvillimin e ekonomisë vendore, përmirësimin e qeverisjes vendore dhe forcimin e pjesëmarrjes së shoqërisë civile dhe të sektorit privat në zhvillimin vendor.

Projekti realizoi ngritjen e sistemit të kompjuterizuar për administrimin e tatim-taksave vendore në 10 bashkitë partnere, mundësoi fillimin e huamarrjes vendore për tetë bashki për financimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, ndihmoi bashkitë të regjistronin dhe të administrojnë rreth 3,300 prona vendore, si dhe ndihmoi në zhvillimin e planeve të plota territoriale për Bashkinë e Kukësit dhe të Fushë-Krujës.

Përmes këtyre veprimtarive, njësitë e pushtetit vendor mund të përmirësojnë shërbimet që iu ofrojnë qytetarëve si dhe të jenë më të gatshëm për t’i përgjigjur nevojave të tyre.

a.k/NOA

KOMENTE