English

Meta: Lulzim Basha kandidati i gjithë koalicionit

Tiranë, 23 mars 2011, NOA Update - Kryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot se kandidati i “Aleancës për qytetarin” për garën elektorale për Tiranën, Lulzim Basha është kandidati i duhur për t’ua kthyer Tiranën qytetarëve. Gjatë një konference për shtyp shefi i LSI-së foli edhe për situatën politike në vend, ku theksoi se klasa politike duhet t’i përgjigjet seriozish kërkesës së BE-së për përmbushjen e 12 prioriteteve të përcaktuara nga Komisioni Europian.

Po ashtu zoti Meta komentoi edhe incidentet në dy minibashki të Tiranës për listat paraprake të zgjedhësve duke theksuar se konfrontimet e opozitës dëshmojnë dëshpërimin për humbjen e tyre në zgjedhjet vendore të 8 majit.

Më tej lexoni deklaratën e kreut të LSI-së dhe përgjigjet për pyetjet e gazetarëve.

Duke përshëndetur angazhimin e Bashkimit Europian, duke kontribuar në përmirësimin e mëtejshëm të klimës politike në vend, sidomos në drejtim të marrjes në konsideratë të 12 prioriteteve të theksuar qartazi që do të ndihmonin vendin tonë për të hedhur një hap më tej përpara në marrëdhëniet me BE-në, në emër të LSI-së vlerësoj se është shumë e rëndësishme që edhe klasa politike t’i përgjigjet në mënyrë shumë konkrete këtij preokupimit të BE. Por natyrisht do të ishte shumë e vështirë përpara 8 majit që të përmbusheshin të 12 prioritetet e parashtruara, por natyrisht që disa prej tyre mund të zgjidheshin shumë shpejt në bazë të një vullneti pozitiv. Sikurse është zgjedhja e Ombusmanit, miratimi i Gjykatës Administrative dhe njëkohësisht angazhimi konstruktiv për të arritur standarde më të larta për zgjedhjet e përgjithshme vendore të 8 majit.

Zoti Meta si po ecën marrëveshja me PD-në dhe zyrtarizimi i kandidatit të përbashkët për Tiranën?

Tashmë zoti Basha është kandidat i të gjithë koalicionit Aleanca për qytetarin, pavarësisht nga formalitetet dhe në këtë drejtim unë dua të shpreh vlerësimin më pozitiv për këtë kandidat, i cili rrezaton shumë më gjerë se sa thjesht forca politike që e ka propozuar dhe unë jam i bindur se me eksperiencën e tij, me energjitë e tij, me pozitivitetin e tij, me qytetarinë e tij do të ndihmojë bashkinë që të kthehet në drejtimin e duhur dhe t’i kthehet punës. Lidhur me marrëveshjen ajo pothuajse është e përfunduar. Zoti Meta pak minuta më parë është komunikuar nga prokuroria një vendim për marrjen e një tjetër eksperti për videon?

Kjo tregon dështimin e plotë të prokurorisë në këtë çështje, sepse u bënë gati tre muaj dhe unë kam pasur vullnetin për të bashkëpunuar që ditën e parë së bashku me avokatët e mi. Dihet se gjithçka ka qenë manipulim dhe montim dhe kjo është vërtetuar në një nga laboratorët më të avancuar të Europës. Dihet njëkohësisht se prokuroria ka gënjyer parlamentin me informacionet që ka çuar për këtë çështje në rastin e kërkesës për heqjen e imunitetit tim. Dhe natyrisht që të gjithë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë e dinë se për shkak të kryeprokurores Rama, prokuroria është përfshirë prej kohësh në një fushatë elektorale. Avokatët e mi do të merren me veprimet e paligjshme të prokurorisë. Kjo nuk është një çështje për mua.

Incident në kombinat ku nuk janë lejuar sipas PS-së të shikohen listat. Çfarë komenti keni?

Pyetja juaj jep edhe vetë përgjigjen. Kemi të bëjmë me një fushatë incidentesh në kuadër të një dëshpërimi që mblidhet përsa i takon rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit. Sigurisht që kjo është rruga me e gabuar dhe më e dëmshme. Unë e theksoj se më e rëndësishme se çdo gjë është procesi dhe standardet e tij, se kjo është me e rëndësishme për vendin. Në fund të fundit këto janë zgjedhje lokale, zgjedhje vendore, ndaj i ftoj të gjithë që të respektojnë ligjin. Kërkesat e drejta që kanë t’i bëjnë në mënyrë të tillë që të respektojnë kuadrin ligjor, Kodin që kanë bërë vetë. Natyrisht që unë ftoj të gjitha autoritetet që edhe ata të bëjnë të njejtën gjë, të respektojnë ligjin për çdo kërkesë të drejtë që do t’i paraqitet. Ndërsa përpjekjeve për incidente unë mendoj se duhet t’u përgjigjemi me qetësi, pasi kuptohet kjo është rruga e duhur për t’i izoluar këto incidente.

mit/NOA

KOMENTE