Tiranë, 23 mars 2011, NOA- Pas aksidentit të shënuar ditën e djeshme në aksin rrugor, Peqin-Elbasan, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili ka lënë ambientet e spitalit pasditen e sotme.
Mësohet se ai qëndroi për afro 24 orë nën kujdesin e mjekëve dhe pas kontrollit dhe analizave të kryera nga grupi mjekësor, gjendja e Ministrit Vasili është paraqitur e mirë, çka ka bërë që ai të lërë Spitalin Ushtarak.
Nëpërmjet një deklarate zyrtare nga zyra e shtypit të tij, Ministri Vasili ka falenderuar ekipin e mjekëve të Spitalit të Elbasanit të cilët sipas tij përballuan me shumë sukses peshën më të madhe të kësaj emergjence shëndetësore duke dhënë shembullin e një profesionalizmi të lartë, ashtu sikurse edhe ekipi i transportit me helikopter.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se, ministri Vasili vlerëson gjithashtu maksimalisht punën dhe gatishmërinë e të gjithë stafit mjekësor të Spitalit Ushtarak të cilët e kanë asistuar atë, gjatë gjithë kohës së qëndrimit në këtë spital.
Ndërkaq mësohet gjithashtu se spitalin e kanë lënë edhe të plagosurit e tjerë, Drejtori i Kabinetit, Klodian Rjepaj dhe Drejtori i Politikave Shëndetësore Pëllumb Pipero.
a.y/NOA