E mërkurë, 23 mars 2011, NOA- Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço ka marrë pjesë në samitin e biznesit SH.B.A. - Ballkan, i cili u organizua në Baltimore, shtetin e Maryland.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë samit Naço është shprehur se, ky aktivitet është dëshmi e intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera ndërmjet qeverive dhe popujve të Ballkanit.
“Shqipëria, tashmë është një vend anëtar i NATO-s nga prilli i 2009, në 2 dekadat e fundit, që pas rrënies së rregjimit më të egër komunist në Europën Lindore, Shqipëria ka kaluar nëpër transformime të jashtëzakonëshme politike, institucionale e social-ekonomike. Procesi i integrimit euro-atlantik ka qenë forca lëvizëse e shumë reformave strukturore të ndërmarra falë edhe ndihmës së paçmuar të partnerëve tanë ndërkombëtar, e në veçanti të SH.B.A, të cilët kanë kontribuar rrënjësisht në demokratizimin e vazhdueshëm të vendeve tona, përfshirë dhe Shqipërinë’, u shpreh ministri i Ekonomisë.
Sipas tij qysh prej vitit 2000, Shqipëria ka njohur rritje ekonomike me ritmet më të larta në Europën Juglindore me një mesatare prej rreth 6% në vit, e cila në vitin 2008 kulmoi në 8%.
Ai shtoi se në vitin 2009, edhe pse e gjithë bota ishte në “ethet” e krizës financiare-ekonomike, Shqipëria arriti të kishte rritjen ekonomike të GDP-së më të lartë në Europë, me rreth 3.3%.
Naço tha se, Shqipëria e kaloi me sukses “stuhinë” e krizës ekonomike globale kryesisht falë stimulit fiskal të qeverisë në drejtim të investimeve dhe mbështetjes së biznesit vendas dhe të huaj, sigurimit të një sistemi bankar të shëndoshë, mbikqyrjes bankare rigoroze dhe praktikave të kujdesëshme të kreditimit.
Më tej ministri shtoi se, Qeveria Shqiptare që nga viti 2005 ka përgjysmuar taksat për bizneset e vogla dhe ka ulur taksën e korporatave dhe të ardhurave personale nga 25% në 10%, pra duke aplikuar regjimin e taksës së sheshtë prej 10% dhe kështu është kualifikuar si një nga vendet me taksat më të ulëta në Europë.
Në fjalën e tij në samitin e Baltimores, ministri i Ekonomisë tha se, vetëm në pak vite, Shqipëria ka transformuar dhe modernizuar infrastrukturën rrugore nga Veriu në Jug, duke vijuar më tej edhe me rrugën e kombit Durrës-Kukës, ku ai e komentoi si një mundësi të madhe për shkëmbimet tregtare.
“Raporti i Bankës Botërore "Doing Business" për vitin 2008, e renditi Shqipërinë në vendin e dytë në botë përsa i përket, reformave në përmisim të klimës së biznesit dhe mbrojtjen e interesave të investitorëve të huaj. Investimet e huaja direkte gjatë kësaj dekade janë rritur vazhdimisht dhe kanë arritur në rreth 9% të GDP-se në vitin 2010, pra në rreth 1 miliard $”, deklaroi Naço.
Ndërkaq ministri theksoi se, prezenca e biznesit amerikan në Ballkan dhe në Shqipëri akoma nuk ka arritur potencialin e saj, pasi potencialet dhe oportunitetet e investimeve amerikane në Shqipëri janë shumë të mëdha.
Ai theksoi edhe njëherë se ndërtimi i autostradës "Durrës-Kukës" mbetet një histori suksesi e cila duhet të pasohet jo vetëm në projekte infrastrukture por edhe në fusha të tjera.
Ndër të tjera ministri i Ekonomisë përmendi edhe potencialet energjetike të pashfrytëzuara plotësisht, sidomos në hidrocentrale, ku sipas tij prezenca e investitorëve amerikanë do të ishte një vlerë e shtuar për ta shndërruar Shqipërinë në një fuqi energjetike në rajon.
Edhe turizmi sipas Naços është një mundësi shumë e mirë, kjo sipas historisë unike që ka vendi ynë në rajon.
“Benefitet reciproke që kanë ardhur si pasojë e investimit në frymën e "Partneritetit Trans-atlantik" mbeten të prekshme. Ka ardhur koha, që këto benefite të promovohen më tepër dhe besoj se ky samit do ti shërbej më së miri këtij qëllimi me pjesëmarjen e krerëve të shtetit, ministrave, dhe personaliteteve nga rajoni për të diskutuar rreth sektorëve potencial ekonomik si energjia, transporti, infrastruktura, etj”, mbylli fjalën e tij ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço.
Në këtë samit ishin të pranishëm krerë të shteteve, ministrave, dhe personaliteteve nga rajoni ku u diskutua rreth sektorëve potencial ekonomik si energjia, transporti, infrastruktura, etj, me temë “Partneriteti Transatlantik, Rizgjimi i Marrëdhënieve SH.B.A- Ballkani Perëndimor”.
a.y/NOA