Prishtinë, 23 mars 2011, NOA- Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli ka lëshuar një deklaratë me rastin e 24 marsit, 12 vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Sipas tij, fillimi i bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe, dymbëdhjetë vjet më parë, ishte ngjarje e madhe historike që i hapi rrugë çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
“Fushata e bombardimeve të NATO-s që filloi më 24 mars 1999, ishte një akt i jashtëzakonshëm i humanizmit dhe mesazh i qartë i botës demokratike dërguar regjimit të Millosheviçit, se bota e civilizuar ishte e përcaktuar që me çdo kusht t’i jepej fund krimeve të tmerrshme kundër civilëve shqiptarë anë e kënd Kosovës. Kjo fushatë, po ashtu simbolizon sukses të madh edhe për vet NATO-n, meqenëse ka dhënë një ndër provimet më të rënda gjatë historisë së ekzistimit të saj”, thuhet në deklaratën e Pacollit.
Më tej shtohet se në këtë ditë qytetarët e Kosovës me dhimbje kujtojnë të gjitha viktimat civile që pësuan si pasojë e fushatës së terrorit të egër të Millosheviçit.
Sipas Pacollit pavarësisht dhimbjeve dhe plagëve, kjo ditë simbolizon kthesën e madhe për vendin drejt rrugës së paqes dhe prosperitetit.
Në mesazhin e kreut të shtetit të Kosovës theksohet se, realiteti i ditëve të sotme në Kosovë i jep legjitimitet dhe të drejtë absolute vendimit ndërkombëtar për sulme ajrore kundër Serbisë më 1999-ën.
a.y/NOA