Ventimiglia, 23 mars 2011, NOA – Një shqiptar i akuzuar për shfrytëzim të të miturve për prostitucion e marrëdhënie seksuale me dhunë ka rënë sot në prangat e policisë italiane në zonën e Ventimiglias në Itali, pas 9 vitesh kërkimi ndërkombëtar. Bëhet fjalë për 30-vjeçarin nga Cërriku i Elbasanit Florian Nasufi, i cili në vitin 1999 shfrytëzoi për prostitucion disa të mitur.
Lajmin e bëri publik Policia e Shtetit, e cila njoftoi se në bashkëpunim me Zyrën Qendrore Kombëtare të Interpol Tiranës u arrestua me qëllim ekstradimi drejt vendit shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, Florian Shefqet Nasufi.
Bëhet me dije se Florian Nasufi është dënuar me 14 vite burg nga Gjykata e Rrethit të Elbasanit në 23 dhjetor të vitit 2002, me akuzën e rëndë të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur.
Kapja e Nasufit u realizua falë bashkëpunimit me Interpol Romën.
Florian Nasufi pritet të ekstradohet së shpejti drejt Tiranës ku do të përballet me drejtësinë.
mit/NOA