Konfirmohet anëtarësimi i Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik në Këshillin Europian të Arkeologjisë (EAC)
Tiranë, 23 mars 2011 NOA/ Ervin Tirana - Një ekip i përbashkët ekspertësh nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA) mori pjesë në Konferencën Vjetore të Këshillit Europian të Arkeologjisë (Europae Archaeologiae Consilium-EAC) me temë “Trashëgimia Rikrijon Europën-Një qasje kritike ndaj vlerave në Arkeologji, Vendbanimeve të ndërtuara dhe Peisazhit kulturor”, e cila u mbajt në Ename, Belgjikë nga 17-19 Mars 2011.
Qëllimi kryesor i pjesëmarrjes së ASHA-s në këtë takim ishte anëtarësimi dhe përfaqësimi i Shqipërisë në Këshillin Europian të Arkeologjisë si një vend anëtar me të drejta të plota.
Ftesa për anëtarësim iu propozua ASHA-s nga Presidentja e EAC znj. Katalin Wollak në muajin Mars 2009 në Reikjavik, Islandë, gjatë Konferencës Vjetore të organizuar nga EAC, në të cilën ASHA ishte e ftuar në cilësinë e vëzhguesit.
Anëtarësimi në një institucion të nivelit të lartë profesional si EAC do të përmirësojë aktivitetin e ASHA në vend dhe do të rrisë nivelin profesional të ekspertëve arkeologë duke qenë aktivë dhe pjesëmarrës në aktivitetet e Bordit, seminaret si dhe trajnimet e organizuara nga Grupet e Punës së këtij institucioni.
Objektiva të pritshme nga ky anëtarësim janë po ashtu edhe promovimi i : menaxhimit, mbrojtjes, interpretimit shkencor, publikimit, prezantimeve, kënaqësisë publike të trashëgimisë arkeologjike të vendit tonë si pjesë integrale e trashëgimisë europiane.
Po ashtu, anëtarësimi në këtë institucion të nivelit Europian gjen mbështetje të plotë edhe me politikat integruese të ndjekura nga Qeveria Shqiptare.
Aktualisht ASHA merr pjesë në Grupin e Punës së Arkeologjisë Ajrore, në të cilin janë trajnuar gjatë vitit 2010 dy ekspertë të saj, ndërkohë që dy të tjerë do të trainohen gjatë 2011.
Shqipëria është vendi anëtar më i ri që i atashohet EAC dhe që e çon në 28 numrin e përgjithshëm të vendeve anëtare pranë këtij institucioni.
Në konferencë, ku merrnin pjesë rreth 200 pjesëmarrës nga vende të ndryshme europiane, u referuan një sërë temash nga të cilat Arkeologjia, Publiku dhe Europianizmi; Trashëgimia kulturore: shprehja e kontradiktave “të bashkuar në diversitet”, Drejt një vizioni multi-fokusor të Kulturës Europiane. Zbulimi i peizazheve të hershme sllave në Kroaci, Nga peizazhet në Europë në një peizazh Europian? Nacionalizmi, Historia Kanonike dhe Arkeologjike në Hollandë, si dhe Arkeologjia në ditët e sotme-Rasti i Romës.
***
Këshilli Europian i Arkeologjisë (EAC) është një rrjet demokratik organizatash që janë ligjërisht përgjegjëse për menaxhimin e trashëgimisë në vendet respektive.
Anëtarësimi në këtë Këshill është i hapur për të gjithë organet kombëtare të ngarkuara me menaxhimin e trashëgimisë arkeologjike në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës.
Misioni kryesor i EAC është të mbështesë menaxhimin e trashëgimisë arkeologjike në Europë, ti shërbejë nevojave të agjencive që janë të përfshira në menaxhimin e trashëgimisë kombëtare arkeologjike, të vendosë bashkëpunime të ngushta institucionale dhe të shkëmbejë informacion midis institucioneve europiane, etj.
EAC ka aktualisht gjashtë Grupe Pune: Arkeologjia Ajrore, Trashëgimia Nën-ujore, Monumente të Luftës së Ftohtë, Agro-Mjedisi, Gërmime në Shkallë të Mëdha dhe Arkiva.
Struktura e EAC përbëhet nga Këshilli, Bordi dhe Asambleja e Përgjithshme.
e.t/NOA