Shkup, 23 mars, NOA - Gjenerimi i tërmetit që si pasojë sjell lëvizje të pllakave tektonike, gjeneron edhe në zonat tjera tërmete, në mënyrë të transmetuar. Po ashtu, nuk janë të panjohura shkëputjet e shumta që kanë qenë edhe më parë aktive dhe nuk përjashtohet mundësia e aktivizimit të tyre, që si pasojë sjellin tronditje mjaft të ndjeshme dhe shoqërohen edhe me shumë pasgoditje, deri në qetësimin e plotë të shkëputjes.
Shembull konkret për mundësinë e shkëputjeve, po përmendim tërmetin e muajit prill të vitit 2002 në rajonin e Gjilanit, që u konsiderua si zonë epiqendrore nga pikëpamja gjeologjike.
Në ndërtimin gjeologjik të Zonës së Vardarit, marrin pjesë edhe formacionet magmatike, metamorfike e sedimentare, me moshë që nga Prakembi në Paleozoi e Mesozoi e deri në Tercier (Paleogjen). Vend të posaçëm këtu zënë ofiolitet jurastike.
Këtu, mbi këto formacione, janë vendosur në trajtë mospajtuese, basenet molasike Terciare, si ai i Shkupit të cilët janë mbushur me molasat Mioce-Pliocenike.
Depozitimet Kuaternare shtrihen diskordant mbi molasat Mio-Pliocenike.
Prandaj, është shumë me rëndësi që për përcaktimin e mundësisë së një tërmeti, të përcaktohen kushtet gjeologjike dhe njohja e strukturës gjeologjike si dhe njohja e strukturës neotektonike të gjenerimit të një tërmeti.
Për të saktësuar se cili element tektonik ka gjeneruar tërmetin, është e domosdoshme njohja e morfostrukturave neotektonike në teren.
Janë dy faza të etapës neotektonike: faza paraorogjenike dhe faza orogjenike. Faza e parë, - paraorogjenike- e kapë tërë Miocenin dhe është dominuar nga proceset e peneplenizimit dhe zhytjeve relative. Ndërkaq, faza e dytë, - orogjenike-, fillon—nis nga Plioceni e shkon deri në Kuaternar dhe karakterizohet me lëvizje diferenciale intensive, të cilët kanë ndikuar në formimin e morfostrukturave të dy tipeve: Morfostrkturat në ngritje, si dhe Morfostrukturat në zhytje-depresionet. Në rajonet tona dëshmohet se janë të krijuara si struktorë horst-grebenore e krijuar pikërisht nga neotektonika në tërheqje-depresioni. Si përfundim, si shkaktar të tërmeteve në këto rajone, konsiderohen shkëputjet normale aktive.
Rajoni i Ballkanit është i njohur për nga lëvizjet e shumta dhe të shpeshta tektonike, me pasoja tragjike. Dhe pikërisht në rajonin tonë, ekspertët vlerësojnë dhe parashohin lëkundje të tokës-tërmete, dhe gokësima të tjera tokësore, në një periudhë të papërcaktuar kohore. Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria, janë pjesë e rajonit mjaft aktiv sizmik, me rajonet mjaft kritike-sizmike, siç janë rajoni Ohër-Strugë-Dibër, mandej ai i Shkupit, që lidhet me basenet Moravës së Binçës, mbase edhe të tjera.
Është e pashpjegueshme, se si në një hapësirë kaq të vogël, të ketë kaq shumë fërkime sizmo-tektonike, që pasqyrohet në hartat e reja sizmike dhe neotektonike. Për të përcjellur dhe investiguar lëvizjet dhe lëkundjet sizmo-tektonike, që viteve të fundit kanë pësuar deformime të ndryshme, të pasqaruara nga sizmologët dhe gjeologët, natyrisht, për evitimin e pasojave tragjike, shtrohet nevoja për investigim më vigjilent. Investigimi i tillë, nuk mund të bëhet pa aparaturë të sofistikuar.
Pikërisht për këtë, Instituti Sizmologjik pranë Fakulteti të shkencave matematiko-natyrore në Shkup, është pajisur dhe ka instaluar aparaturë të tillë kompjuterike, mjaftë të sofistikuar, në bashkëpunim me një rrjetë kontrolluese në gjashtë qendra në Maqedoni: Ohër, Shtip, Shkup, Manastir, Vallandovë dhe Kriva Pallankë. Është pritur edhe instalimi i stacioneve të reja në Dellçevë, Berovë, Krushevë dhe ndërmjet Dibrës e Kërçovës, që është bërë pjesërisht.
Lidhur me këtë rrjetë të stacioneve matëse dhe investiguese sizmike, drejtori i Institutit sizmologjik në Shkup, prof. dr. Llazo Pekevski është shprehur: “ Me instalimin e kësaj aparature kompjuterike, krahas asaj ekzistuese, jemi kyçur në sistemin e investigimeve të të gjitha lëvizjeve sizmo-tektonike me shumë qendra europiane dhe botërore. Mirëpo, ky rrjet investigues, nuk mbulon tërësisht hapësirën Ballkanike, sepse kemi rajone që nuk mbulohen me stacione dhe qendra investiguese sa duhet, siç është rajoni i Kosovës, ndaj është imediate që sa më parë të instalohen stacionet matëse-investiguese edhe në Kosovë”.
Këtë mendim dhe vlerësim e ndajnë edhe drejtuesit e Institutit sizmologjik në Tiranë dhe nga Kosova. Për këtë çështje, prof. Zenun Elezaj kohë më parë ishte shprehur: “Projekti për instalimin e rrjetit investigues sizmiko-tektonik në Kosovë është gati, dhe në bashkëpunim me Institutet sizmologjike në Shqipëri dhe Maqedoni, do ta mbulojmë tërësisht rajonin, ku janë të saktësuara disa basene tërmetore, sizmiko-neotektonike, sepse Kosova është zonë me ndikim të madh neotektonik. Çmoj se aparatura aq e sofistikuar e instaluar në Shkup, dhe ajo që do të instalohet në Kosovë, dhe rrjetin ekzistues investigues në Shqipëri, në masë të madhe do të ndihmojë në njoftimet eventuale të lëvizjeve sizmo-tektonike, jo vetëm në Maqedoni, por edhe në Kosovë e Shqipëri”.
Për të mbuluar tërësisht rajonin Shqipëri-Kosovë-Maqedoni, ishte hartuar një projekt i përbashkët që do të mbështetej nga fondacione të shumta nga Belgjika, vlera e të cilit arrinte në qindra mijëra mbase tejkalon edhe miliona dollarë.
Siç shihet edhe në hartën sizmike të Maqedonisë, disa rajone janë më të ndjeshme dhe me probabilitet më të madh-mundësi më të madhe të tronditjeve të tokës, ku intensiteti mund të arrijë – të priten tërmete me magnitudë prej 7-7.5 ballë të shkallës së Richterit, ose e barabartë me X ballë të shkallës makrosizmike evropiane (MSK-64).
Rajone të tilla pos pjesës së rajonit Ohër-Strugë-Dibër, që ndodhet ndërmjet dy pllakave tektonike, është edhe rajoni kufitar me Bullgarinë si dhe rajoni i Shkupit, ku pikërisht kalon plasaritja tektonike e cila bashkohet me plasaritjen tektonike në pjesën e Kosovës, plasaritje që shtrihet nga baseni i Ohrit që sipas ekspertëve, konsiderohet pllaka neo-tektonike.
NOA-INA