Tiranë, 23 mars 2011, NOA – Pas konfrontimit të opozitës për manipulimin e listave paraprake të zgjedhësve reagoi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile sqaroi se Partia Socialiste i ka marrë listat paraprake të zgjedhësve. Drejtori Armand Teliti në një konferencë për shtyp i cilësoi veprimet e opozitës si të pakontrolluara e aspak kontribuese për procesin zgjedhor të 8 majit.
Ai bëri me dije drejtoria e përgjithshme e Gjendjes Civile ia ka vënë në dispozicion listën paraprake të zgjedhësve në shkallë vendi në format elektronik që në datën 26.11.2010 me shkresë 6761/1.
“Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i ka vënë në dispozicion listën paraprake të zgjedhësve në shkallë vendi në formatin elektronik të kërkuar në datën 03.03.2011 me shkresë 952/1. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile i është përgjigjur me shkresën 1185/1 datë 17.03.2011 ku konfirmon vënien në dispozicion të listës paraprake sipas kërkesës së saj”, bëri me dije drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile.
Drejtori Teliti sqaroi se “Kodi Zgjedhor nuk e njeh konceptin e listës paraprake të përditësuar, por vetëm listën paraprake dhe listën përfundimtare”.
Sipas tij në datën 14 Tetor 2010 u shpërndanë në njësitë e qeverisjes vendore Udhëzimi i Ministrit për procedurat e pastrimit të dublimeve, manuali përkatës, Udhëzimi i Ministrit për procedurat e verifikimit të shtetasve mbi 100 vjeç, manuali përkatës si dhe listat e personave të dyshuar si të dubluar dhe lista e personave mbi 100 vjeç.
“Konkretisht lista e dublimeve në datën 14.10.2010 përmbante 39.243 rekorde. Nga regjistrimi i tyre rezulton se me informacionet e ardhura deri ditën e sotme 10.800 rekorde, të cilët përfaqësojnë persona të ndryshëm ose binjakë të cilët konsiderohen si dublime të dyshuara. Lista e mbetur e dublimeve të dyshuara përmban 1.913 rekorde ose rreth 856 persona. Ky numër po vjen duke u zvogëluar pas çdo informacioni që mbërrin nga njësitë vendore”, nënvizoi Teliti.
Ndërkohë drejtori Teliti sqaroi listën e mbi 100 vjeçarëve, e cila përmbante 6.599 rekorde në datën 14.10.2010.
“Personat mbi 100 vjeç për të cilët u gjenden dokumentat e nevojshme për të bërë çregjistrimin ky veprim u krye dhe me kete procedure u çregjistruan 957 persona. Për të tjerët që sipas informacioneve të njësive vendore dihet se janë të vdekur por nuk ka dokumenta që faktojnë vdekjen. Deri tani janë bllokuar 4.013 persona dhe të tjerët janë në proces bllokimi nga punonjësit e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore”, tha drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile.
Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Armand Teliti siguroi se Ministria e Brendshme angazhohet se në çdo rast do të respektojë ligjin duke nënvizuar se “Lista Përfundimtare e zgjedhësve do të jetë një listë e konsoliduar që do të ketë të reflektuar gjithë punën e kryer në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë, komunat dhe njësitë bashkiake”.
Ky reagim erdhi pasi Deputetët e PS-së Ilir Gjoni dhe Erion Braçe i kërkuan kryetarit të Njësisë minibashkiake nr.3, Ilir Kokona, listat e zgjedhësve për të verifikuar emrat e shtuar pas 8 marsit, i cili ishte afati i fundit i dorëzimit të listave.
Debati mes deputetëve të opozitës e kryetarit Kokona për pak degjeneroi në akte dhune, pas nxjerrjes jashtë nga mjediset e minibashkisë të deputetëve socialistë.
mit/NOA