English

Videopërgjimi Meta-Prifti, Meta: Ina Rama gënjeu Parlamentin

Tiranë, 23 mars 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta akuzoi sot kryeprokuroren Ina Rama se ka gënjyer parlamentin lidhur me ekspertizën e videopërgjimit Meta-Prifti duke vërtetuar kështu se kryeprokurorja Rama është e njëanshme në këtë hetim. Gjatë një konference për shtyp shefi i LSI-së bëri me dije se prokuroria në informacionet e dërguara në parlament ka manipuluar gjithçka që lidhet me videopërgjimin, pasi sikundër tha ai manipulimin e vodeopërgjimit e vërtetoi edhe ekspertiza ligjore e laboratorëve më të mirë.

Meta bëri me dije se do të jenë avokatët e tij Petrit Serjani e Gëzim Veleshnja që do të hetojnë mbi veprimet e paligjshme të prokurorisë.

Kreu i LSI-së nënvizoi sakaq se i kryeprokurorja Ina Rama e ka përfshirë prokurorinë në një fushatë elektorale pro Partisë Socialiste.

Duke u ndalur në zgjedhjet vendore të 8 majit ai vlerësoi kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, si më të mirin kandidat të zgjedhur.

“Lulzim Basha është kandidati i duhur për Bashkinë e Tiranës dhe forca që ai përfaqëson e mbështet. Jam bindur se me eksperiencën dhe energjinë e tij do të ndihmojë bashkinë që të kthehet në drejtimin e duhur", tha Meta.

Ai vlerësoi gjithashtu edhe apelin e të dërguarit të BE-së Miroslav Lajçak, që theksoi se pa dialogun politik klasa politike shqiptare po largohet nga BE-ja.

Në këtë kontekst Meta vlerësoi se klasa politike shqiptare duhet të përmbushë 12 kriteret e kërkuara nga BE për integrimin e vendit.

mit/NOA

KOMENTE