English

Dhunë seksuale, kapet në Itali i riu nga Elbasani

Piemonte, 24 mars 2011 NOA – Një i ri nga Elbasani është arrestuar nga policia italiane për akuzat e përdhunimit të mbetur në tentativë dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Korrespondentja e agjencisë NOA raporton se Florian Nasufi, 30 vjeç, lindur në Elbasan dhe me banim aktualisht në Tortona, lokalitet i veriut të Italisë në Piemonte, është arrestuar në një godinë në ndërtim e sipër ku ai punonte, në Roverino.

Nasufi, ishte shpallur në kërkim prej disa kohësh, pasi mbi të rëndonte një vendim gjykate për të vuajtur 14 vjet burgim për akuzat e mësipërme.

Vendimi ishte marrë nga Gjykata e Apelit të Durrësit në vitin 2003.

Sipas dosjes së tij penale, Nasufi në vitin 1999, në muajin shtator, kishte ndalur një vajzë të re në një stacion autobusi, dhe nëpërmjet mashtrimit, duke i ofruar ta shoqërojë në destinacionin e saj.

Por menjëherë më pas e dërgoi në një vend të izoluar dhe më tej pasi tentoi ta përdhunojë arriti ta çonte në Greqi ku e shfrytëzoi si prostitutë.

Pas një periudhe kohe, vajza arriti të shkëputet nga kthetrat e tutorit dhe u arratis duke iu dorëzuar policisë greke e cila e riatdhesoi në Shqipëri duke e dorëzuar në policinë shqiptare.

Kapja e Nasufit, ishte rastësore. Policia lokale kreu një kontroll rutinë në disa objekte dhe kantiere ndërtimi dhe në njërin prej tyre, në Roverino, gjeti Florian Nasufin që punonte si punëtor ndërtimi.

Pas marrjes së të dhënave identifikuese, rezultoi se ai ishte person në kërkim dhe iu vunë menjëherë prangat.

Policia italiane tha se tani i riu gjendet në burgun e Sanremos ku do të presë për vendimin e Kolegjit të Apelit në Xhenova nëse ai do të ekstradohet ose jo për të vuajtur 14 vjet burgim të dhënë ndaj tij në mungesë nga drejtësia shqiptare.

e.t/NOA

KOMENTE