English

Fillon procesi i pasaportave biometrike në Greqi, ja dokumentet që duhen

Athinë, 24 mars, NOA- Ka nisur sot, pranë Ambasadës së Shqipërisë dhe zyrës konsullore në Athinë procesi i aplikimit të qytetarëve shqiptarë për pasaporta biometrike. Në ceremoninë e nisjes së procesit ka qenë i pranishëm Zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, ambasadori i Shqipërisë në Greqi Dashnor Dervishi, funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë “Aleat” Z. Jean Alain Jouan.

Poni nënvizoi në fjalën e tij vëmendjen e veçantë që Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i ka kushtuar përgatitjes dhe finalizimit me sukses të të gjithë procesit që u mundëson qytetarëve shqiptarë në Greqi, Itali dhe kudogjetkë të kenë sa më pranë zyrat për të aplikuar për pasaporta biometrike.

Ai, gjithashtu theksoi se mundësia e krijuar për qytetarët shqiptarë jashtë vendit për të aplikuar për pasaporta biometrike pranë vendeve të punës dhe banimit mbështetet në angazhimin dhe politikat e qeverisë shqiptare për të ofruar shërbimet sa më pranë qytetarit.

Në datën 28 Mars 2011 ky shërbim do të ofrohet edhe pranë zyrës tonë konsullore në Selanik dhe së shpejti edhe në Romë e Milano.

Ministria e Brendshme sqaron se të gjithë shtetasit shqiptare që jetojnë në Greqi mund të pajisen me dokumente biometrike, kartë identiteti dhe pasaportë biometrike pranë Ambasadës sonë në Athinë dhe Konsullatës së Shqipërisë në Selanik.

Procesi i aplikimit është i njëjtë me atë që behet edhe në zyrat në Shqipëri.

Oraret e Aplikimeve janë: 09.00 - 15.00. Adresa e Ambasadës shqiptare në Athinë është; Vekiareli 7, 15237, Filothei, Athinë. Gjithashtu personat e interesuar mund të komunikojnë dhe në numrin e telefonit; +30 210 6876 200.

Ndërsa adresa e Konsullatës në Selanitk është; Tsimiski 43, 546 24, Selanik dhe numri i telefononit; +30 257 598

Letërnjoftimi kushton 10 euro, ndërsa pasaporta biometrike kushton 108 euro.

Pagesa bëhet në Bankën e Pireut dhe shumat përkatëse duhet të derdhen në numrin e llogarisë: Ambasade e R. SH. ne Athine, Banka e Pireut; numër llogarie: 5053-052306-404

Po ashtu mund të paguhet edhe në Konsullatën e Selanikut; Banka Kombëtare Greke dhe Numër Llogarie: 212/480800-26

Pagesa në numrin e mësipërm të llogarisë mund të kryhet edhe nga çdo bankë tjetër kundrejt komisioneve përkatëse.

Mandat pagesën e marrë nga Banka e Pireut qytetarët do t’ia tregojnë personelit të Ambasadës. Më pas do të merren kuponat përkatës për dokumentet që aplikohet.

Është e nevojshme që qytetarët të identifikohen me një dokument të vlefshëm identifikimi si; pasaportë, patentë shoferi me fotografi, letërnjoftim elektronik (nëse ka), dokument tjetër të vlefshëm me fotografi.

Për fëmijët nën 18 vjeç, njeri nga prindërit duhet të jete prezent dhe kërkohet një dokument që tregon lidhjen familjare me fëmijën.

a.k/NOA

KOMENTE