English

KQZ miraton fondet për fushatën elektorale, “pjesa e luanit” mes PD e PS

Tiranë, 24 mars 2011, NOA – Dy partitë më të mëdha në vend, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste do të përfitojnë e ndajnë rishtas mes tyre “pjesën e luanit” në fondin për financimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e 8 majit. Edhe pse pa votat e opozitës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi sot fondet për financimin e fushatës zgjedhore.

Kryetari i KQZ-së Arben Ristani bëri me dije se buxheti total që do të përdoret për zgjedhjet është 200 milion lekë.

Ristani tha se fondi në fjalë është i parashikuar në buxhetin e shtetit për vitin 2011.

Kreu i KQZ-së tha se “70 përqind e këtij fondi do të ndahet mes dy partive të mëdha parlamentare PD e PS, 20 përqind e fondit shkon për partitë e tjera parlamentare, ndërsa 10 përqindëshi i fondit do të përfitohet nga partitë që kanë marrë më shumë se 1% të votave në zgjedhjet e fundit”.

Në një përllogaritje të thjeshtë paratë e fondit për financimin e fushatës për zgjedhjet e 8 majit do të shpërndahen kështu: Partia Demokratike përfiton 83 milion lekë, Partia Socialiste 80 milion lekë, Lëvizja Socialiste për Integrim 11 milion lekë, Partia Republikane 8 milion lekë, Partia për Drejtësi e Unitet 7 milion lekë, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 7 milion lekë dhe Partia Social Demokrate e Skënder Gjinushit përfiton një fond prej 350 mijë lekësh. mit/NOA

KOMENTE