English

Manjani: PS i mungojnë votat, jo listat

Tiranë, 24 mars, NOA – Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani deklaroi sot se kërkesat e PS-së për listat e zgjedhësve dhe incidentet e shënuara gjatë ditëve të fundit janë projekti i opozitës për të prishur zgjedhjet.

“Duam të ndajmë sot me ju konstatimin se opozita shqiptare ka filluar projektin e shkatërrimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Për fat të keq filozofia politike e opozitës është kundër zgjedhjeve të lira e demokratike, votës së lirë dhe të drejtës së çdo shqiptari për të votuar, ambasadave të vendeve perëndimore, ekonomisë së lirë, institucioneve të shtetit demokratik”, tha Manjani.

Sipas tij është absurde këmbëngulja e PS-së. “Sulmi fizik dhe verbal ndaj të zgjedhurve vendor, zyrave publike ku ata ushtrojnë veprimtarinë e tyre në dobi të qytetarëve, motivohet qartësisht nga paniku elektoral”, tha Manjani.

Manjani u shpreh se opozitës nuk i mungojnë listat e zgjedhësve, por votat. “Pa asnjë dyshim, e gjithë kjo dhunë që kemi parë nuk motivohet nga asnjë e vërtetë. Nga informacionet qe ne kemi, na rezulton se opozita shqiptarë ka marrë, megjithatë, kopje të listave paraprake të zgjedhësve ashtu siç parashikon Kodi Zgjedhor. Mirëpo e vërteta është se atyre nuk u mungojë listat, po votat”, tha ai.

Manjani ka theksuar se është detyrë e çdo drejtuesi vendor të zbatojnë ligjit dhe çdo votues me të drejtë vote të jetë në listën e zgjedhësve.

“LSI i kërkon të zgjedhurve vendore që janë sot në detyrë, përfshi edhe të zgjedhurin në ikje të Bashkisë së Tiranës, të marrin përgjegjësitë që ju jep kodi zgjedhor dhe të garantojnë standardin demokratik që çdo votues me të drejtë vote të jetë në listën e votuesve”, tha Manjani.

a.k/NOA

KOMENTE