Tiranë, 24 mars 2011, NOA – Policia e kryeqytetit ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi, e vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit. Ndeshja mes ekipit tonë kombëtar e atij të Bjellorusisë do të zhvillohet të shtunën, në 26 mars në orën 20.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Masat e ndërmarra përfshijnë sigurimin e rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të aktivitetit sportiv.
Policia e Tiranës do të kontrollojë në mënyrë të imtësishme sportdashësit gjatë hyrjes në stadium, ku do të parandalohet futja në stadium nga tifozët e sendeve të ndaluara si mjete e sende të forta, fishekzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.
Gjithashtu policia e kryeqytetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për bllokimin e segmenteve rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë.
Kështu duke filluar nga ora 14.00-23.00 do të bllokohet qarkullimi në rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Perlat Rexhepi”.
Policia e Tiranës duke kërkuar mirëkuptimin e publikut, i kujton sportdashësve dhe pjesëmarrësve në këtë aktivitet të respektojnë me rigorozitet rregullat e vendosura dhe kodit të sjelljes gjatë ndeshjes Shqipëri-Bjellorusi.
mit/NOA