Tiranë, 24 mars 2011, NOA – Deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Toçi tha sot se qeveria nuk po jep asnjë kontribut për mirëmbajtjen e mjedisit në vend, një arsye kjo që frenon edhe turizmin. Duke iu referuar faktit se këto pesë vitet e fundit alarmi është më i fortë se kurrë, deputeti Toçi theksoi gjatë seancës së Kuvendit se “problematika e mbetjeve urbane është mjaft shqetësuese në Shqipëri, pasi akoma edhe sot pas 20 vjetësh ende nuk kemi në dorë një plan kombëtar të mirëfilltë, edhe pse thuhet se ekziston një projekt i përgatitur nga Ministria e Mjedisit, i cili përcakton edhe vendndodhjen e landfield-eve për të 12 qarqet e vendit”.
Deputeti socialist tha gjatë fjalës së tij se plehrat kanë mbytur vendin, duke sjellë pasoja jo vetëm estetike, por edhe shëndetësore, ekonomike dhe frenim të turizmit.
Duke folur për qytetin bregdetar të Vlorës Toçi tha se qeveria nuk ka asnjë plan për ndërtimin e një venddepozitimi të standardeve evropiane duke bërë që plehrat të digjen në mes të Pyllit të Sodës, fare pranë detit.
Ai akuzoi qeverinë se po e ndot gjirin e bukur të Vlorës, duke e kthyer atë në një kënetë të vdekur, por edhe duke mbingarkuar rrugët që lidhin Vlorën me pjesët e tjera të vendit në autokolona pambarim kamionësh e trajlerash.
Deputeti Fatmir Toçi ritheksoi akuzat se qeveria Berisha po kërkon të mbushë Shqipërinë me fabrika çimentoje e TEC-e, me naftë e me qymyr, si dhe ndërtojë impiante të prodhimit të energjisë atomike etj.
Ai i bëri thirrje qeverisë që përpara se të flasë për reaktorët atomikë, duhet të investojë në menaxhimin e plehrave në qytetet e mëdha të Shqipërisë, të cilat janë kthyer në burim sëmundjesh dhe intoksikimi të banorëve.
“Duhen ngritur impiantet e pastrimit të ujërave të zeza që në Shqipëri të vijnë sa më shumë pushues e turistë të tërhequr nga bukuritë e pazakonta natyrore që ofron Vlora dhe i gjithë Bregdeti shqiptar”, nënvizoi deputeti Toçi, duke shtuar se në programet e socialistëve për mjedisin nuk do të lejohet ndotja e natyrës.
mit/NOA