English

Rama inauguron “Shtëpizën e ngjyrave”, shërbim emergjence për fëmijët në rrezik

Tiranë, 24 mars 2011, NOA - Bashkia e Tiranës me mbështetjen e UNICEF, përuroi ditën e sotme “Shtëpizën e ngjyrave”, e cila do të shërbejë si një qendër për fëmijët në rrezik.

Gjatë fjalës së tij me këtë rast kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama, pasi shprehu kënaqësinë për inaugurimin e qendrës tha: “Unë sot takova disa nga fëmijët e familjeve rome, që u bënë viktimë e agresionit barbar, për të cilin ende nuk ka asnjë fajtor, por që tronditi jo vetëm Shqipërinë, por edhe të gjithë miqtë e partnerët e vendit tonë, pra këtu në këtë qendër, falë një program të ri, një programi europian dhe bashkëkohor, do të mund të gjejnë asistencë ata të cilët në rast të kundërt do të mbeteshin në mes të katër rrugëve, qoftë në një orë të vështirë të natës, qoftë gjatë ditës pa përkrahje. Kjo është një qendër e re dhe një tjetër hap i ri dhe i madh përpara, drejt një Tirane europiane të solidaritetit njerëzor, të bashkëjetesës mes të gjithëve”.

Sipas tij, në këtë qendër sociale, me kapacitet ditor 100 fëmijë do të zhvillohen shërbime në përputhje me standardet e shërbimeve shoqërore në qendrat sociale, në mbështetje të Ligjit për mbrojtjen e fëmijëve si dhe Konventës Ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. Ai shtoi gjithashtu se këto shërbime do të konsistojnë në përmbushjen e nevojave jetike si ushqim, higjenë, sigurimin e nevojave materiale dhe veshmbathje dhe diagnostikim për probleme shëndetësore, etj.

Kryebashkiaku Rama theksoi se, qendra sociale “Shtëpiza e ngjyrave” do të ofrojë për herë të parë shërbimin 24 orë të emergjencës, në lidhje me mbështetjen parësore të fëmijëve në risk, të abuzuar, të përjashtuar apo fëmijë në situatë rruge.

Sakaq ai tha se, aktualisht qyteti i Tiranës sot ofron shërbime sociale në 8 qendra ditore të specializuara dhe profesionale për kategoritë në nevojë.

Ai shtoi gjithashtu se qëllimi primar është mbështetja e fëmijës dhe familjes në nevojë, drejt rritjes së pavarësisë dhe forcimit ekonomik e social të tyre.

Kryebashkiaku Edi Rama në përurimin e kësaj qendre sociale, pati edhe një takim me Drejtorin Rajonal të UNICEF, Steven Allen dhe përfaqësuesin e zyrës së UNICEF-it në Shqipëri, Detlef Palm, me qëllim promovimin e shërbimeve në këtë qendër.

Kjo qendër u përurua me përkrahjen e organizatës rinore ARSIS, e cila do të përbëjë një ndër qelizat kryesore të ofrimit të shërbimeve të përkujdesit ditor dhe atij të emergjencës 24 orësh, për këta fëmijë.

Ndërsa vendndodhja e kësaj qendre është në Njësinë Bashkiake nr.7, në kryeqytet.

a.y/NOA

KOMENTE