Tiranë, 24 mars 2011, NOA- Deputetja e Partisë Socialiste Ledi Shamku, sërish ditën e sotme ka denoncuar shkeljet në listat zgjedhore.
Njësia Bashkiake numër 10 ka qenë qendra e radhës e denoncuar, ku Shamku deklaroi se “Godina mbrapa meje është universitet privat. Universitet tek i cili rezulton se banojnë 64 vetë, ja tek i keni listat. 64 votues, 64 vetë për Sali Berishën, Lul Bashën dhe për kë bën listat këtu tek njësia nr. 10. 64 vetë banojnë tek kjo godina e universitetit, flenë, jetojnë, hanë, rrinë këtu e natyrisht do të votojnë këtu”.
Ajo shtoi më tej se krahas tyre janë shtuar edhe 7 votues të rinj, të cilët janë shtuar në listat e 2011 krahasuar me listat e 2009-ës.
Shamku theksoi se, njësia nr. 10 është burimi që gjeneron këto lëvizje demografike. Sakaq ajo tha se, njësisë nr. 10 i i është dërguar ditën e djeshme një shkresë me parregullsitë duke ju dhënë dhe numrat e dublave, por ka ngelur pa përgjigje.
Sipas saj, 64 votuesit e kësaj godine janë 64 fantazma manipulimi të listave zgjedhore të njësisë nr. 10.
“Qyteti i Tiranës nuk voton vetëm fantazma që dinë të vrasin, të vjedhin pasurinë e shqiptarëve, të vjedhin votën dhe të kërkojnë të tallen me identitete njerëzish, me vullnete njerëzish dhe me ardhmërinë e një kombi”, u shpreh Shamku.
Në emër të selisë rozë, ajo tha gjithashtu se këto shkelje do të përfundojnë në gjykatë dhe një kopje e fakteve do ti shkojë OSBE- ODIHR- it, duke shtuar se denoncimet do të vijojnë më tej.
a.y/NOA