English

Shpallet sot fituesi për ndërtimin e Kuvendit

Tiranë, 24 mars, NOA – Do të mësohet sot se cili nga 12 projektet që janë vënë në garë për ndërtimin e kompleksit të ri parlamentar, ka për të qenë fituesi i saj.

Ky fakt është bërë me dije nga burimet zyrtare të Kuvendit, sipas të cilave, ditën e sotme pritet që të publikohet vendimi i jurisë ndërkombëtare mbi përzgjedhjen e njërit nga 12 maketet e propozuara për ndërtimin e godinës së Parlamentit të Ri.

Mësohet se anëtarët e kësaj jurie kanë mbërritur në Tiranë ditën e hënë dhe menjëherë kanë nisur punën për vlerësimin e secilit prej ofertave të paraqitura.

Konkretisht, anëtarët e kësaj jurie janë Johannes Ibelings, Imad Hassan, Mario Struzzi, Agron Lufi dhe Florian Nepravishta.

Ajo kryesohet nga Johannes Ibelings, autoritet i njohur në fushën e kritikës së arkitekturës, historian arti dhe botues i shumë veprave përfshirë Supermodernizmin dhe Planifikimin urban te shek XX në Hollandë.

Ai është themeluesi dhe kryeredaktori i revistës pan-europiane të arkitekturës “A10 Arkitektura e Re Europiane”.

Ibelings gjithashtu, që në vitin 1989 ka organizuar një sërë ekspozitash arkitekture. n.e/NOA

KOMENTE