English

Thaçi: 12 vjet pas bombardimeve, Kosova sovrane aspiron integrimin në NATO e BE

Prishtinë, 24 mars 2011, NOA – Kur sot mbushen plot 12 vjet nga nisja e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se Kosova është e gatshme dhe është pjesë e aleancës veri-atlantike. Kryeministri i Kosovës në një intervistë tha se Kosova tashmë është një vend sovran dhe me institucione të ligjshme, e po aspiron fort integrimin në NATO e BE.

Thaçi duke iu referuar ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë që i dha fund luftës e aktualizoi atë me ndërhyrjen në Libi.

Në këtë kontekst, kryeministri i Kosovës nënvizoi se “Dymbëdhjetë vjet më herët, Gadafi ishte aleati i Sllobodan Millosheviçit, ndërsa Kosova sot, pas këtyre 12 vjetësh, është e gatshme, si vend i lirë dhe i pavarur, të marrë pjesë me forcat e aleancës veri-atlantike. Më tej lexoni intervistën e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi për Radion Evropa e lirë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, 12 vjet më parë, për Kosovën ishte e rëndësishme vetëm liria. Sot, Kosova është e lirë, por me çka sfidohet?

Kryeministri Thaçi: Sot, Kosova është vend i lirë, i pavarur, sovran, krenar, me institucione të fuqishme, legjitime, demokratike, multietnike, me perspektivë të sigurt euroatlantike, që në të ardhmen e afërt të jemi pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, me perspektivë zhvillimore të rritjes së mirëqenies sociale, e njohur nga 75 shtete të botës, pjesë e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Është vend i tolerancës etnike, qytetare, politike, i një bashkëpunimi të ngushtë me të gjitha vendet e rajonit, i një perspektive të fqinjësisë së mirë edhe mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, që në të ardhmen jo të afërt të ndodhë njohja reciproke mes këtyre dy shteteve, për t’i përmbyllur njëherë e përgjithmonë konfliktet njëshekullore që kanë ndodhur në rajonin tonë. Pra, të hapet perspektiva e integrimit të shteteve veç e veç, e të gjithë rajonit në NATO dhe në BE.

Radio Evropa e Lirë: Intervenimi i NATO-s në Kosovë është riaktualizuar tash, pas ndërhyrjes ndërkombëtare në Libi. Si edhe më herët, edhe tash po zhvillohet debati nëse ishte ose jo i duhur vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, e tash në Libi. Çka do t’ju thoshit ju këtyre skeptikëve dhe vetë popullit të Libisë?

Kryeministri Thaçi: Intervenimi i NATO-s në Kosovë ka qenë zgjidhja e vetme, e drejtë, humane, në mbështetje të lirisë së popullit të Kosovës dhe përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi. Dymbëdhjetë vjet me herët, NATO-ja intervenoi në Kosovë kundër pranisë serbe dhe regjimit të Millosheviqit, jo vetëm ndryshimit të regjimit, por edhe të largimit të gjithë ushtrisë, policisë dhe administratës së dhunshme serbe nga Kosova. Dymbëdhjetë vjet më herët, Gadafi ishte aleati i Sllobodan Millosheviqit, ndërsa Kosova sot, pas këtyre 12 vjetësh, është e gatshme, si vend i lirë dhe i pavarur, të marrë pjesë me forcat e aleancës veri-atlantike, të japë kontributin e saj modest në përpjekjet e popullit libian për liri, për rend demokratik, për sundim të ligjit, për të drejtat e njeriut.

Pra, 12 vjet pas bombardimeve të NATO-s, Kosova është e gatshme dhe është pjesë e aleancës veri-atlantike.

Radio Evropa e Lirë: Dymbëdhjetë vjet pas, Kosova ka hyrë në procesin e dialogut teknik me Serbinë. Kur do të arrihet pajtimi historik, të cilin po e përmendni shpesh në kohët e fundit? Është i largët ky? Do të pritet edhe 12 vjet?

Kryeministri Thaçi: Definitivisht, pajtimi shqiptaro-serb duhet të ndodhë pas një konflikti më tepër se njëshekullor. Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Ky dialog që ka filluar në Bruksel, është i nivelit të barabartë - për herë të parë në histori - në mes të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Kosova është e përgatitur, ka plan, ka projekt. Ky dialog do të përmbyllet me njohjet reciproke mes Kosovës e Serbisë dhe integrimet e shpejta e të domosdoshme për në strukturat euroatlantike.

Kosova do t’i kryejë të gjitha përgjegjësitë që i takojnë. Statusi është i përmbyllur njëherë e përgjithmonë. Integriteti territorial është i njohur dhe i pranuar nga komuniteti ndërkombëtar. Rregullimin e brendshëm do ta kemi sipas Kushtetutës dhe ligjeve tona, si dhe dokumentit të presidentit Ahtisari.

Të gjithë në Kosovë janë për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit. Kemi ndërtuar raporte të shkëlqyeshme me Maqedoninë, Shqipërinë, Malin e Zi. Duam të kemi raporte të fqinjësisë së mirë edhe me Serbinë, sepse rruga jonë euroatlantike është e përcaktuar edhe me zbatimin e kritereve të fqinjësisë së mirë, edhe për Kosovën, edhe për Serbinë, edhe për të gjitha vendet e rajonit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti kryeministër, vitin e kaluar, zyrtarët serbë kanë kërkuar nga NATO-ja që të rishikohet Marrëveshja e Kumanovës, e cila i dha fund luftës në Kosovë, ndërsa u bë e mundur vendosja e 50 mijë trupave të NATO-s. Ka zëra që thonë se kjo çështje mund të hapet në procesin e dialogut të tashëm me Serbinë. Cilat janë gjasat?

Kryeministri Thaçi: Ne nuk jemi ata që vendosim në emër të NATO-s, por ne jemi ata që japim idetë, mendimet, sugjerimet dhe këshillat në këtë drejtim. Opinionet tona janë shumë të qarta. Duhet të respektohet plotësisht Dokumenti i Kumanovës, derisa të përmbyllet njëherë e përgjithmonë çështja edhe në kuptimin e dialogut, por edhe të hapjes së perspektivës së sigurt të të dyja vendeve.

Radio Evropa e Lirë: Pra pa njohje, nuk duhet të ketë revidim...

Kryeministri Thaçi: Duhet të ndodhë njohja reciproke.

Radio Evropa e Lirë: Për fund, ka pasur kritika në adresën e juaj për shkak se nuk jeni deklaruar rreth rastit Limaj. Cili është qëndrimi juaj si kryeministër?

Kryeministri Thaçi: Qëndrimi i Qeverisë ka qenë shumë i qartë, edhe më herët, edhe sot dhe do të jetë përgjithmonë edhe qëndrim i politikës kosovare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka zhvilluar luftë të drejtë, luftë të pastër, ka zhvilluar luftë për liri dhe pavarësi, ka zhvilluar luftë duke respektuar të gjitha normat dhe standardet ndërkombëtare të konventave ndërkombëtare.

Akuzat ndaj njerëzve të UÇK-së kanë qenë edhe më herët, janë edhe sot, të padrejta. UÇK-ja nuk ka bërë krime në asnjë rrethanë.

Edhe në rastin konkret, që ju pyesni, qëndrimi i Qeverisë ka qenë shumë i qartë... Të gjithë deputetët, e në këtë rast edhe zoti Limaj, kanë imunitet. Ky është konstatim i yni dhe i EULEX-it dhe duhet të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

KOMENTE